
Nga Anton Jäger, The New York Times
Historiani Erik Hobsbaum nuk ishte aspak miqësor ndaj nacionalizmit.
Një fëmijë hebre i rritur në rrënojat e perandorive gjermane dhe asaj austro-hungareze, ai kishte një dyshim instinktiv ndaj çdo pretendimi përkatësie kombëtare. Megjithatë, teksa një falangë partish të reja nacionaliste hynë në parlamentet e shteteve europiane në fillimm të viteve 1990-të, me pretendimin se emigracioni përbëntë një kërcënim vdekjeprurës për komunitetet e tyre, Hobsbaum ofroi një interpretim befasues. Tërheqja ndaj politikave anti-migratore, spekuloi ai, nuk kishte të bënte dhe aq me ndojë ndjesi krenarie kombëtare, se sa me aftësinë e tyre për të mbuluar një boshllëk në zemër të kuptimit që europianët kishin për veten e tyre. “Nuk kishte mbetur asnjë mënyrë tjetër për të identifikuar identitetin e përbashkët,” shkruante ai, “veçse duke përkufizuar të huajt që nuk ishin pjesë e tij.”
Fjalët mbartin një rezonancë të pazakontë për Europën sot. Kur kanë kaluar më shume se gjashtë javë nga momenti kur dhjetëra mijëra emigrant kaluan në enklavën spanjolle të Ceutas, me shpresën se do mund të hynin në Europë, emigracioni vazhdon të dominojë debatin në continent. Reagimi më i shpeshtë në shumicën e kryeqyteteve europiane ka qenë të kritikojnë Spanjën – politika relativisht bujare e së cilës ndaj emigracionit shihet si përgjegjëse për atë që ndodhi – ndërsa premtohen kufij më të fortë. Me mijëra njerëz ende në çadra në Ceuta dhe Kryeministrin Pedro Sançez në vështirësi për të kontrolluar pasojat, subjekti nuk duket se do të zbehet së shpejti.
Por qartësisht debati shkon shumë përtej çështjes së emigrantëve. Ndonëse sondazhet tregojnë se zgjedhësit europianë janë thellësisht të interesuar për problemin e emigracionit dhe duan ta shohin të adresohet, shqetësime të tilla e tejkalojnë realitetin objektiv. Kështu, tema është kthyer në një prizëm përmes të cilit shihen gjithë problemet e kontinentit, një lloj kalidoskopi i dobishëm pakënaqësish. Problemet e një botëvështrimi të tillë janë të pafundme. Megjithatë, ka një arsye më të thellë, përtej prurjeve të vazhdueshme të emigrantëve, në lidhje me fiksimin e mbarë kontinentit me të huajt: Europa nuk e di më se çfarë është.
Në debatet europiane emigracioni nuk paraqitet më si një problem që duhet manaxhuar. Në vend të kësaj, ai tashmë shihet si përgjegjës për një sërë problemesh, nga dobësimi i shërbimeve sociale tek mosrritja e pagave dhe krimi. Sipas politikanit holandez të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, kriza e strehimit në vend dhe nivelet e borxhit shpjegohen më së miri nga fluksi i të huajve. Por një mendësi e tillë nuk kufizohet më vetëm tek esktremet. Në Gjermani, për shembull, qeveria e koalicionit e Kancelarit Friedrich Merz ia ka atribuuar të huajve rrënimin e shumë qyteteve në vend.
Përpjekjet për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve të tilla – deklarimi se efektet e emigracionit nuk janë të qarta, ose paralajmërimi se një continent në plakje ka nevojë për prurje të reja – nuk e kapin thelbin e problemit. Kërkimet tregojnë se bastionet më të forta të së djathtës ekstreme janë në rajone ku ka pak emigrant, siç është rasti i landit të Saxony-Anhalt, ku partia Alternativa për Gjermaninë sapo shënoi një fitore të madhe. Frikërat e europianëve rreth emigracionit sa vjen dhe shfaqen më hapur, një lloj rruge e shkurtër përmes së cilës mund të kuptojnë krizat e mbivendosura të kontinentit. Kjo mënyrë të menduari do të vazhdojë të mbajë të zënë mendjen europiane për një të ardhme të konsiderueshme.
Arsyeja e parë e kësaj është e jashtme. Pasojat e pabarazisë globale ishin mëse të dukshme qysh në kohën e Hobsbaumit. Në vitet ’90-të, ai vuri në dukje se si Europa “po rrethohej nga shtete të varfëra me ushtri të rinjsh që luftojnë për punë modeste në botën e pasur, të cilat i bëjnë njerëzit të pasur me standartet e El Salvadorit apo Marokut.” Konkluzioni i tij ishte parashikues: “Këto fërkime do të jenë një faktor madhor në politikë, atë kombëtare apo botërore, përgjatë dekadave të ardhshme.”
Dhe me të vërtetë, këto tensione vetëm janë thelluar. Edhe pse pabarazia globale teknikisht ka rënë në 30 vitet e shkuara, rënia mund t’i atribuuohet kryesisht një vendi të vetëm: Kinës. Përgjithësisht, hendeku i standardeve të jetesës mes Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës mbetet tejet i thellë, një fakt kokfortë i politikës botërore i përkeqësuar nga konfliktet rajonale. Së fundi ka fituar një vizibilitet shqetësues në ekranet e smartfoneve, tanimë të kudondodhura në botën në zhvillim.
Arsyeja e dytë është e brendshme. I ndërtuar si një treg i përbashkët para se të merrte trajtën e një shteti, Bashkimi Europian ka patur gjithmonë vështirësi të artikulojë se çfarë përfaqëson. Në fund të viteve ’90-të, problemi u shfaq në dizenjimin e kartëmonedhave që do të përbënin valutën e re të unionit. Në fund, Euro u dekorua me forma abstrakte si harqet dhe akuaduktet, në vend të personazheve të njohura të historisë së Europës. Për disa studiues, kjo tregoi se unioni ishte mbi të gjitha një konfederatë konsumatorësh.
Vitet e fundit, unioni ka nisur një mision për të përkufizuar shtëpinë e vet të përbashkët, siç e quan Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Së bashkum me drejtuesit e studimeve europiane, krahu ekzekutiv i bllokut po financon iniciativa që syonjnë fuqizimin e sensit të identitetit europian. Një prej këtyre ishte një fushatë goxha e marketuar nga komisioni, e quajtur “Mbro atë që ka rëndësi.” Aty, qytetarët inkurajoheshin të vlerësonin parimet themeluese të unionit, si “fjalën e lirë,” “shkencën e lirë” dhe “shtypin e lirë.” Madje, edhe kartëmonedhat pritet të pësojnë ndryshime.
Këto përpjekje janë pa dyshim atraktive për disa nga kufijtë e pushtuar të kontinentit, si Ukraina dhe Gjeorgjia, ku të rinj të arsimuar shohin ende një premtim të madh tek bashkimi me Europën. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa larg mund të shkojnë fushata të tilla. Një sërë krizash – kryesisht ekonomike, por edhe kulturore e sociale – e ka bërë argumentin pro bashkimit edhe më sfidues. Në të njëjtën kohë, transformimi i shumë shteteve europiane në ekonomi turizmi, vetëm sa e ka përkeqësuar çorientimin.
Kjo pasiguri rreth karakterit dhe të ardhmes së unionit është dukshëm, e ndoshta ironikisht, më e perceptueshme te ekstremi i djathtë. Një nga vendet e preferuara të Zotit Wilders në Holandë është Efteling, pylli i përrallave në jug të vendit. Ky park tematik, i mbushur me xhuxhë, dragonj dhe të tjera figura nga përrallat për fëmijë, nuk përbën ndonjë shembull të folklorit lokal, por një botë imagjinare krejtësisht jashtë historisë. Dashuria e ekstremit të djathtë për “Zotin e Unazave” është tregues i të njëjtës marrëdhënie fantastike të tyre me realitetin.
null
Ndoshta nuk duhet pritur koherencë politike nga një grup divers prej 450 milionë njerëzish që nuk kanë një shtet apo gjuhë të vetme. Megjithatë, nacionalizmi në nivel shtetesh mbetet i brishtë, i varur nga gogoli i emigracionit. Të paaftë për të mposhtur në mënyrë sistematike pushtetin e Brukselit, ekstremi i djathtë europian i ka ngulur kthetrat te argumentet banale anti emigracion, për një qëndrim opozitar aty ku nuk ka më një të tillë. Tek e fundit, qendra dhe e djathta ekstreme kanë arritur një consensus rreth kontrollit më strikt kufitar dhe përpjekjeve për deportime.
Rezultati i ngjan më tepër një lloj gjëegjëze. Emigracioni shihet praktikisht nga të gjitha palët si një kërcënim ndaj identitetit europian. Megjithatë, në shekullin e 21-të, mbetet e paqartë së ku ekzaktësisht konsiston ky identitet. Jo më selia e perandorive botërore, kur ka humbur fronin e hegjemonit global, kontinenti ngjet njëkohësisht prestigjioz dhe provincial: një fuqi e madhe kulturore që po vuan nga margjinalizimi gjeopolitik. Europianizmi qytetar, me gjithë përpjekjet e mëdha të komisionit, do të jetë një antidot i dobët për këto lloj sëmundjesh. Në vend të kësaj, do i kthehet emigracionit për të mbushur zbrazëtinë në qendër të imazhit që Europa ka për veten.



