
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke bërë të ditur se Besfort Lamallari do të largohet nga drejtimi i ministrisë dhe do të bëhet pjesë e ekipit në Kryeministri.
Përmes një reagimi, Rama tha se vendimi është pjesë e një ndryshimi në ekipin qeverisës, ndërsa Ervin Demo, deri tani ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, do të marrë drejtimin e punëve të Brendshme.
“Sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë. Lamallari nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme kalon në stolin tim bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se Demo do të mbulojë Ministrinë e Brendshme, ndërsa çështjet e pushtetit vendor do të integrohen në strukturën e kësaj ministrie.
“Ndërkohë që Demo, ministri i Pushtetit Vendor, do të mbulojë punët e Brendshme ku do të integrojmë dhe çështjet vendore”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, përfshirja e çështjeve vendore në strukturën e Ministrisë së Brendshme nuk është një praktikë e re, por tashmë do të marrë një formë më të plotë brenda ministrisë.
Ndryshimet shënojnë kështu largimin e Lamallarit nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme dhe kalimin e tij në një funksion pranë Kryeministrisë, ndërsa Ervin Demo pritet të marrë drejtimin e ministrisë.



