
Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, ka bërë thirrje për unitet politik në Kosovë, duke paralajmëruar se zvarritja e formimit të institucioneve u shërben kundërshtarëve të vendit.
Në një intervistë për mediat në Prishtinë, Robertson tha se Kosova duhet t’i japë fund paralizës politike, të konstituojë institucionet dhe të ecë përpara me zgjedhjen e presidentit.
“Nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për unitet kombëtar sesa në momentin e tanishëm”, deklaroi Robertson, duke theksuar se përçarjet politike në Kosovë mund të shfrytëzohen nga Serbia dhe aktorë të tjerë që kundërshtojnë pavarësinë e vendit.
Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar po e vëzhgon nga afër situatën politike në Kosovë dhe është e rëndësishme që institucionet të funksionalizohen sa më shpejt. Robertson tha se Kosova ka bërë përparim të madh që nga lufta e vitit 1999, duke e përshkruar atë sot si një vend normal evropian, por shtoi se vendi duhet të krijojë kushte që qytetarët e tij të kenë mundësi më të mira brenda Kosovës.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Robertson tha se vendimi i Dhomave të Specializuara duhet të pranohet, cilido qoftë ai. Ai theksoi se besimi në sundimin e ligjit është thelbësor dhe se një vendim i gjykatës nuk duhet të shihet si rishkrim i historisë së Kosovës.
Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kishte për qëllim mbrojtjen e popullit të Kosovës nga represioni, spastrimi etnik dhe dhuna e forcave serbe. Robertson paralajmëroi gjithashtu se çdo reagim i dhunshëm apo i tepruar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale do t’u shërbente kundërshtarëve të Kosovës.
“Çfarëdo vendimi që del nga Dhomat e Specializuara, njerëzit duhet ta pranojnë dhe të sigurohen që ne të ecim përpara”, tha ai.
Robertson u ndal edhe te rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ai pranoi se fakti që katër shtete anëtare të NATO-s ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e vështirëson procesin, por tha se Prishtina duhet të punojë për t’i bindur këto vende.
Ish-kreu i NATO-s përmendi Maqedoninë e Veriut si shembull të një shteti që, sipas tij, arriti të kapërcejë vështirësitë e brendshme dhe të ecë drejt anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike. Për Robertson, edhe Kosova duhet të tregojë të njëjtin unitet politik në mënyrë që të përparojë drejt strukturave euroatlantike.



