
Irani ka ndryshuar strategjinë e tij në përballjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e kthyer Ngushticën e Hormuzit në një “kartë të fuqishme negociuese” në tavolinën e bisedimeve.
Sipas Al Jazeera-s, ky përdorim agresiv i ngushticës strategjike nuk ka qenë kurrë i pranishëm në tensionet e mëparshme dhe tashmë është shndërruar në një “problem global” që prek të gjithë botën, përtej dy palëve në konflikt.
Përpara nisjes së luftës, pikat kryesore të përplasjes ishin dosja bërthamore, programi i raketave balistike dhe ndikimi i aleatëve rajonalë të Iranit. Megjithatë, sot e gjithë vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te bllokimi ose hapja e kësaj rruge detare.
Cilado qoftë situata përpara luftës, asgjë nuk do të jetë më e njëjtë pas saj, pasi ky konfrontim ka kaluar zyrtarisht në një nivel krejtësisht tjetër. Përshkallëzimi i situatës tregon se Irani ka zbuluar një levë të fuqishme gjeopolitike. Disa analistë ndërkombëtarë kanë arritur deri aty sa ta përshkruajnë kontrollin e Teheranit mbi këtë korridor si “bombën bërthamore gjeografike” të Iranit.
Arsyetimi pas këtij emërtimi lidhet me faktin se, sapo Irani ta aktivizojë dhe ta përdorë këtë kërcënim në praktikë, fuqitë e mëdha globale nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër veçse të ulen në bisedime dhe të pranojnë kushtet e tij.
Ngushtica e Hormuzit mbetet pika më kritike e kalimit për furnizimin global me naftë, çka do të thotë se çdo bllokim i saj rrezikon të gjymtojë ekonominë botërore brenda pak ditësh.



