
Nicholas Vinocur dhe Antoaneta Roussi, POLITICO
Me inkursione dronësh, tentativa për vrasje dhe akte sabotimi në territorin evropian, kritikët paralajmërojnë se përplasja me Moskën nuk mund të konsiderohet më thjesht një luftë “hibride”.
Dronë dhe lëndë shpërthyese të gjetura në Gjermani, që dyshohet se lidheshin me një sulm të planifikuar ndaj aeroportit të Lajpcigut. Një dron detar i rrëzuar pranë një platforme gazi në Detin e Zi. Një plan atentati ndaj drejtuesit të një kompanie evropiane të industrisë së mbrojtjes.
Fushata e Rusisë kundër Evropës po bëhet gjithnjë e më e hapur dhe agresive. Megjithatë, udhëheqësit e Bashkimit Evropian vazhdojnë të ngurrojnë ta quajnë atë me termin që, sipas një numri në rritje zyrtarësh të sigurisë, po i përshtatet gjithnjë e më shumë: luftë.
Në vend të kësaj, ata përdorin një formulim më të butë, “luftë hibride”, i cili i mundëson BE-së dhe NATO-s të shmangin një përgjigje ushtarake.
Por ky përkufizim po kritikohet gjithnjë e më shumë, ndërsa Moska shton sabotimet, sulmet kibernetike dhe operacionet e tjera nëpër Evropë. Ekspertë të sigurisë, diplomatë dhe zyrtarë të mbrojtjes që folën për POLITICO-n thonë se etiketa “hibride” rrezikon ta minimizojë seriozitetin e kërcënimit dhe të fshehë se deri ku ka arritur tashmë përshkallëzimi i përplasjes me Rusinë.
Një shembull është rasti i kësaj jave në Gjermani. Pasi hetuesit gjetën një dron të tretë, së bashku me lëndë shpërthyese që dyshohet se lidheshin me një sulm të planifikuar ndaj aeroportit, kancelari Friedrich Merz paralajmëroi se vendi po përballej me “kërcënime shumë reale”, në kushtet e një “vëmendjeje të shtuar nga sulmuesit hibridë”.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi për “një fushatë kërcënimesh në përshkallëzim” dhe për “luftë hibride”, në një postim në X më 20 gusht, pas incidentit në Detin e Zi.
Lista e ngjarjeve të ngjashme vazhdon të zgjatet. Disa shërbime inteligjence vlerësojnë se ato mund të jenë pjesë e përgatitjeve për një sulm të drejtpërdrejtë rus ndaj një vendi të NATO-s. Në këtë situatë, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, udhëtoi këtë javë drejt Moskës, për ta paralajmëruar Kremlinin të mos godasë vendet anëtare të Aleancës.
“Ne ndodhemi vërtet në një luftë hibride, e cila tashmë nuk është edhe aq ‘hibride’”, tha Camille Grand, ish-ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe drejtues aktual i Shoqatës Evropiane të Industrive të Hapësirës Ajrore, Sigurisë dhe Mbrojtjes.
“Në muajt e fundit, të gjithë drejtuesit ekzekutivë të kompanive të industrisë së mbrojtjes kanë shtuar masat e sigurisë personale”, tha Grand, duke iu referuar kërcënimeve ndaj kreut të Saab-it dhe planit për vrasjen e drejtuesit të gjigantit gjerman të industrisë së mbrojtjes, Rheinmetall.
Megjithatë, udhëheqësit dhe zyrtarët e BE-së përpiqen të shmangin përshtypjen se Rusia ndodhet në prag të një sulmi të drejtpërdrejtë.
“Mund të themi shumë qartë se shërbimet evropiane nuk shohin ndonjë rrezik sulmi ndaj vendeve të Evropës”, tha një zyrtar i lartë i BE-së, në kushtet e anonimatit, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
null
Udhëheqësit evropianë përdorin shpesh termat “kërcënim hibrid” ose “luftë hibride”. Koncepti zakonisht lidhet me një studim të vitit 2007 nga ish-analisti i Pentagonit, Frank Hoffman, megjithëse autorësia fillestare e termit mbetet e diskutueshme.
Përkufizimi është mjaft i gjerë. Sipas shpjegimit që Komisioni Evropian i dha POLITICO-s, ai përfshin “ndërthurjen e veprimtarive shtrënguese dhe përmbysëse me metoda konvencionale dhe jokonvencionale — diplomatike, ushtarake, ekonomike dhe teknologjike — të cilat mund të përdoren në mënyrë të koordinuar nga aktorë shtetërorë ose joshtetërorë për arritjen e objektivave të caktuar, duke mbetur nën pragun e një lufte të shpallur zyrtarisht”.
Një zyrtar i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes, tha se termat “kërcënime hibride” dhe “luftë hibride” përdoren për veprime që nuk konsiderohen sulme të drejtpërdrejta ndaj objektivave ushtarake ose civile evropiane.
Përdorimi i tyre i lejon BE-së të shmangë pranimin se ndodhet në gjendje lufte dhe, rrjedhimisht, nevojën për një përgjigje ushtarake nga Bashkimi ose NATO-ja. Këto terma krijojnë gjithashtu përshtypjen e kërcënimeve thuajse rutinë, duke pasur parasysh se sulme dhe provokime të këtij niveli janë bërë të zakonshme në Evropë që prej mesit të viteve 2000.
Ka edhe një arsye tjetër për përdorimin e etiketës “hibride”: çdo deklaratë se vendet evropiane janë në luftë ose në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë mund të sjellë pasoja të mëdha ekonomike, duke larguar investitorët dhe duke rritur ndjeshëm kostot e sigurimeve.
null
Për James Appathurai-n, zëvendësndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s për inovacionin, kërcënimet hibride dhe sigurinë kibernetike, termi është plotësisht i përshtatshëm për të përshkruar veprimet e Rusisë, përfshirë shkeljen e hapësirës ajrore të vendeve të NATO-s ose BE-së nga dronë dhe avionë.
“Ne priremi të përdorim termin ‘veprime hibride’, sepse kemi kaluar prej kohësh fazën e kërcënimeve të thjeshta, siç dëshmohet nga numri i sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe inkursioneve me dronë”, tha ai për POLITICO-n.
“Ne u përgjigjemi këtyre veprimeve armiqësore. Këtë e kemi bërë, për shembull, kur vendet aleate koordinuan dëbimin e ‘diplomatëve’ rusë dhe kur dislokuam mjete ushtarake në Detin Baltik për të parandaluar dëmtimin e infrastrukturës nënujore.”
Kritikët paralajmërojnë se përdorimi i tepruar i termit “luftë hibride”, edhe për atentate dhe inkursione dronësh, rrezikon të krijojë te publiku një ndjenjë të rreme sigurie.
“Duhet të flasim thjesht për një konflikt”, tha Pawel Wieczynski, drejtues ekzekutiv i kompanisë së teknologjisë së mbrojtjes DataWalk.
“Dhjetorin e kaluar, Rusia ishte pranë paralizimit të të gjithë rrjetit energjetik të vendit tonë. Na ndanin vetëm pak minuta nga mbetja pa energji elektrike. Ata po përpiqen të hedhin në erë shinat hekurudhore dhe ia kanë dalë me sukses të paktën në një rast. Po dërgojnë pako të mbushura me eksploziv. Kemi një numër masiv sulmesh kibernetike: Polonia është vendi më i sulmuar kibernetikisht në Evropë.”
“Si mund të thuash se nuk je në konflikt, kur një shtet i huaj po vret qytetarë dhe po hedh në erë hekurudhat e vendit tënd?”, vijoi ai, duke iu referuar vrasjes së Semyon Skrepetskyt, artist dhe kritik i hapur i Vladimir Putinit, në qershorin e kaluar.
Sipas Grand, i cili shërbeu si ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s nga viti 2016 deri më 2022, përshkallëzimi gradual i sulmeve ruse pasqyron mënyrën se si vendet perëndimore e shtuan hap pas hapi mbështetjen e tyre për Ukrainën pas pushtimit të plotë rus të vitit 2022.
“Ne filluam duke dërguar helmeta dhe thasë gjumi dhe përfunduam duke dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi”, tha ai.
“Është metoda e zierjes së bretkosës”, shtoi Grand, duke iu referuar mënyrës se si një situatë e rrezikshme normalizohet dalëngadalë, pa shkaktuar reagimin që do të sillte një përshkallëzim i menjëhershëm.
“Ajo që dje na trondiste, nesër kthehet në normalitet. Dhe kjo vazhdon derisa e gjen veten në një situatë shumë më të rëndë. Ata po testojnë kufijtë.”



