
Kosova i ka qëndruar afër popullit ukrainas e Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, por edhe duke strehuar gazetarë ukrainas që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës, por kjo e fundit nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar, gjersa shprehu edhe mirënjohje ndaj Serbisë.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, ka thënë Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndaj kësaj deklarate të Zelenskyt kanë reaguar si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria, ndërsa njohësit e zhvillimeve në vend thonë se qëndrimi i Ukrainës nuk ka ndryshuar dhe se rasti i saj dhe i Kosovës është i ndryshëm.
Sipas tyre, Serbia shfrytëzon vizitat për t’i kthyer kundër Kosovës, por kjo e fundit nuk duhet të bëjë gabim të përgjigjet njëjtë, por duhet të rreshtohet drejt vendeve evropiane.
Kosova, Ukraina dhe ‘qëllimi i vizitës’ në Serbi
Opinionisti Fadil Lepaja, fillimisht për “Bota sot” thotë se Ukraina nuk është se e ka njohur Kosovën, por edhe sipas tij, njohja e saj mund të shkaktojë probleme të caktuara.
“Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare. Fillimisht, njohja nga Ukraina nuk është se na hyn edhe aq në punë, madje mund të na shkaktojë probleme të caktuara me një vend që ende ka veto në KS të OKB. Kjo çështje është aktualizuar nga politikanë kosovarë për shkak të publicitetit që Ukraina ka në mediat botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe paraqet një përpjekje për të fituar publicitet për çështjen e Kosovës, pa e menduar thellë nëse këto janë të ngjashme. Krahasimi i rastit të Kosovës me Ukrainën është krejtësisht i paqëndrueshëm dhe diletantizëm i politikës sonë. Përfitimet e kësaj ndërlidhjeje janë gjithsesi të dyshimta dhe analogjia është krejtësisht e paqëndrueshme. Vendosja dhe heqja e “përkrahjes” kosovare, madje edhe në Shqipëri, për lirinë e Ukrainës, po të mos ishte dritëshkurtë dhe tragjikomike, do të shërbente vetëm si humor i zi”, deklaron Lepaja për “Bota sot”.



