
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ngriti sot alarmin për forcimin e ushtrisë serbe, duke deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht modernizim, por lidhet me synimet hegjemoniste ndaj Kosovës.
Në fjalën e mbajtur në Konferencën e nëntë të Ambasadorëve të Kosovës, Kurti tha se pas rritjes së kapaciteteve ushtarake të Beogradit fshihet një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike.
““Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht një përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, po një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike që lidhet drejtpërdrejt me synimet hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanti Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e këtij qëllimi” u shpreh ai.
Deklarata e Kurtit vjen në një kohë kur në Serbi janë shfaqur sërish mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj Kosovës. Sipas raportimeve, në Peruçac është shfaqur një grafit me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, një ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç foli për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në zonën e Ujmanit.
Të dielën Vuçiç bëri të ditur se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë dhe inxhinierë.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç gjatë vizitës në punimet e Urës së Vjetër Hekurudhore në Beograd.
Serbia ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake përmes bashkëpunimit dhe blerjes së armatimit të avancuar nga Kina, e cila është shndërruar në furnizuesin kryesor të armëve për Beogradin vitet e fundit. Arsenali serb përfshin sisteme moderne kineze të mbrojtjes ajrore, dronë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.



