Shqipëria vijon të tërheqë një numër në rritje turistësh edhe përmes turizmit të kroçerave, ndërsa Porti i Sarandës mbetet një nga portat kryesore hyrëse për vizitorët e huaj gjatë sezonit veror.
Porti i Sarandës mirëpriti sot anijen turistike “Seabourn Quest”, me 467 pasagjerë në bord, të cilët zgjodhën të vizitojnë rivierën shqiptare dhe destinacionet historike e kulturore të jugut të vendit.
Sipas Doganës Shqiptare, Dega Doganore e Sarandës vijon të menaxhojë me profesionalizëm dhe efikasitet fluksin e lartë të kroçerave dhe turistëve, duke garantuar procedura të shpejta, të sigurta dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi punën e strukturave doganore në përballimin e sezonit turistik, duke theksuar se lehtësimi i procedurave kufitare është një element i rëndësishëm në përmirësimin e përvojës së turistëve që vizitojnë Shqipërinë.



