
– Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka reaguar zyrtarisht pas paraqitjes së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në ambientet e institucionit, duke bërë me dije se ajo është thirrur për t’u njohur me akuzën që lidhet me disa procedura prokurimi nën hetim.
Në njoftimin zyrtar, SPAK sqaron se Balluku është marrë gjithashtu në pyetje në lidhje me akuzat dhe është njohur me akte të tjera procedurale në kuadër të hetimeve.
“Në përgjigje të kërkesave tuaja, znj. Belinda Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi, objekt hetimi; për t’u pyetur lidhur me akuzat, si edhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale”, thuhet në reagimin e SPAK.
Ish-zëvendëskryeministrja është marrë e pandehur për procedurën e prokurimit të tenderit me vlerë rreth 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Ajo dyshohet gjithashtu edhe për procedurat që lidhen me tenderin prej 20 milionë eurosh të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas SPAK, për të dyja procedurat e prokurimit, me një vlerë totale prej rreth 210 milionë eurosh, ekzistojnë dyshime se fituesit janë paracaktuar përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjeve gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Hetimet për çështjen vijojnë.



