Nga Col Mehmeti
Për 21 vjet ekzistencë, VV-ja është përbiruar herë tinëzisht e herë haptas te secila derë mediatike. Si ai lypsari që hiqet si i përvuajtur, këta banditë kanë kaluar prej faqeve të Epokës së Re, Botës Sot, Kosovës Sot, Expressit, Zërit e Kohës Ditore. Mirëbërësve kurrë nuk iu thanë as një ‘Faleminderit’, madje atyre ua ngulën thikat. Duhet të zhdavaritet iluzioni se regjimi i Kurtit e ka keq me këtë ose atë medium. Albinkurtizmi i urren të gjitha mediat njësoj, madje edhe ato që ia mbajnë ison protokolare. Prandaj, standardet profesionale nuk duhet të këmbehen kurrë edhe kur VV-ja duket se dikë e dorovit me ndere e përzemërsi. Albinkurtistët kanë nevojë për ‘mediume’ ku anonimët pa fytyrë e pa emër shajnë të gjallë e të vdekur, këdo që i del para partisë.
Një nga shenjat e amnezisë kolektive ndër ne është një fakt fort i thjeshtë që duket si kuriozitet.
Vetëvendosja ka 21 vjet prejse u lajmërua në skenën e historisë.
21 vitet nuk ishin vetëm të ‘atyre’, por edhe të ‘këtyre’, sepse VV kishte gjatë gjithë kohës.
21 vjet janë rrum dy dekada dhe në jetën e përkufizuar sipas sociologjisë e demografisë përfshihet ardhja e një brezi të ri.
Bashkëjetesa me VV-në e qenien e saj të keqe – herë organizim gjysmëilegal, herë margjinal e herë violent – e ka çarmatosur shoqërinë nga secili skrupull moral, e ka topitur secilën ndjeshmëri dhe e ka indiferentizuar ndaj secilës ligësi.
Kemi jetuar dy dekada duke e natyralizuar një formacion rrufjanësh që nuk njohën asnjë kanon a normë njerëzillëku që dikur na naltësonin si shoqëri që e kapërcente tribunë.
Nuk ka mbetur asnjë staturë e vetme profesionale që të mos ketë kompromisuar diçka nga parimësia e vet përballë Vetëvendosjes.
Se njerëzit tundohen nga çmenduria e maniakizmi i dikujt që duket sikur ka zgjidhje për gjithçka, kjo nuk peshon fort si mëkat, aq më tepër në shoqëri të mbytura në një tranzicion të paskaj mendor.
Kur ky vend pas pak vitesh do të jetë kthyer në një distopi të shpopulluar para portave të Evropës, historia e tij nuk do të lexohet vetëm si triumf i një projekti fodull që doli i fituar.



