
Partia Socialiste pritet të paraqesë propozimin e saj për hartën e re territoriale të Shqipërisë, duke përcaktuar numrin e bashkive që do të ketë vendi pas reformës së re.
Burime bëjnë me dije se PS do të fokusohet në ndryshimin e ndarjes territoriale, ndërsa propozimi parashikon që Shqipëria të organizohet në rreth 40 deri në 50 bashki.
Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale u zhvillua këtë të mërkurë në Kuvend, por sipas burimeve nuk u arrit dakordësi për rendin e ditës, duke shënuar përfundimin e fazës së punës së komisionit.
Sipas të njëjtave burime, miratimi i hartës së re territoriale pritet të zhvillohet më 23 korrik.
Ndërkohë, në sesionin e ri parlamentar pritet të shqyrtohen ndryshimet në ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe ligjin për financat vendore, të cilat lidhen drejtpërdrejt me riorganizimin e njësive vendore.
Reforma e re territoriale synon rishikimin e ndarjes aktuale administrative, e cila prej vitit 2015 funksionon me 61 bashki në të gjithë vendin.



