
Një delegacion me prodhues të verës nga rajonet italiane Langhe dhe Roero zhvilloi një vizitë në Shqipëri, ku u takua me importues, somelierë, restoratorë dhe operatorë të sektorit, me synimin për të zgjeruar praninë e verërave italiane në tregun shqiptar.
Vizita u pasqyrua edhe nga e përditshmja italiane La Stampa, e cila i kushtoi një reportazh të plotë aktivitetit, duke theksuar se Shqipëria përfaqëson një treg në rritje për etiketat “Made in Italy”. Sipas artikullit, prodhuesit besojnë se përballë sfidave të tregut ndërkombëtar, hapja drejt tregjeve të reja dhe investimi në cilësi janë çelësi për zhvillimin e sektorit.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri u organizuan degustime dhe takime B2B me profesionistë të industrisë, ku prodhuesit prezantuan verërat e tyre dhe diskutuan mundësi bashkëpunimi me distributorë vendas.
Në reportazh citohet edhe CEO e Cantina Dürazzano, Elda Kërçova, e cila vlerëson se aktivitete të tilla krijojnë ura bashkëpunimi dhe forcojnë kulturën e verës. Ajo shprehet se pjesëmarrja në event ka sjellë kontakte të vlefshme dhe ka krijuar perspektiva konkrete për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas La Stampa, interesi i tregut shqiptar për verërat cilësore italiane po rritet, ndërsa prodhuesit e Langhe dhe Roero e konsiderojnë Shqipërinë një destinacion premtues për zgjerimin e eksporteve të tyre.




