
Shtetet e Bashkuara do t’i kërkojnë Iranit të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin tregtar dhe të angazhohet për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve, si pjesë e negociatave që pritet të zhvillohen këtë të shtunë në Oman.
Sipas mediave amerikane, që citojnë zyrtarë të paidentifikuar, Teherani u ka pranuar privatisht këshilltarëve të presidentit Donald Trump se sulmet ndaj anijeve tregtare ishin një gabim, duke ia atribuar ato një grupi të brendshëm radikal që, sipas tyre, veproi jashtë kontrollit të autoriteteve.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se të dyja palët kanë rënë dakord të vazhdojnë dialogun, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve këtë javë në Ngushticën e Hormuzit. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka këmbëngulur se Irani ka respektuar armëpushimin, ndërsa ka akuzuar SHBA-në për shkeljen e marrëveshjes.
Në tryezën e bisedimeve pritet të marrin pjesë zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff, Jared Kushner dhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi.
Sipas raportimeve, Uashingtoni kërkon gjithashtu që Irani të pranojë publikisht se sulmet ndaj anijeve tregtare ishin një gabim, duke paralajmëruar se mungesa e një angazhimi të tillë mund të ndikojë negativisht në rezultatin e negociatave.
Ndërkohë, një delegacion nga Katari ka zhvilluar vizitë në Teheran për të mbështetur përpjekjet për uljen e tensioneve dhe garantimin e lundrimit të sigurt në një nga korridoret detare më të rëndësishme për tregtinë botërore.
Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta edhe pas deklaratave të Trump, i cili paralajmëroi se SHBA do të përgjigjej me forcë nëse Irani do të ndërmerrte ndonjë sulm ndaj tij. Këto zhvillime vijnë pas përshkallëzimit të fundit ushtarak në rajon, ku disa anije tregtare u goditën gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit.



