Biznesmeni Gjergj Luca ka njoftuar se do të dhurojë 200 bileta falas për 200 maturantë ekselentë nga Shkodra dhe Elbasani, të cilët do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër koncertin e artistit të njohur amerikan Kanye West, që do të mbahet më 11 korrik në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Luca thekson se përveç punës, rëndësi ka edhe kontributi për shoqërinë, duke e cilësuar këtë nismë si një mënyrë për të shpërblyer të rinjtë që kanë arritur rezultate të shkëlqyera në shkollë.
“Unë punoj, por edhe dhuroj. Dhe ja ku jam me një super ofertë, 200 bileta falas për 200 maturantë të shkëlqyer të Shkodrës dhe të Elbasanit, të cilët do të ndjekin nga afër koncertin spektakolar të Kanye West më 11 korrik në Tiranë”, shkruan Luca.
Në të njëjtin mesazh, biznesmeni u bën thirrje edhe sipërmarrjeve të tjera shqiptare që të ndërmarrin iniciativa të ngjashme në mbështetje të brezit të ri.
“Ftoj edhe biznese të tjera të dhurojnë për rininë”, shprehet ai.
Nisma synon të vlerësojë maturantët me rezultate të larta dhe të promovojë angazhimin e sektorit privat në mbështetje të arsimit dhe të rinjve shqiptarë.



