Shqipëria News ka mësuar se Grupi Mabetex, në pronësi të Behgjet Pacollit, është një nga grupet që është përfshirë në përpjekjet për tjetërsimin e protestës së të rinjve shqiptarë, e cila tashmë ka hyrë në javën e katërt.
Sipas informacioneve të siguruara nga Shqipëria News, përfshirja e Mabetex lidhet me interesat e kompanisë në konfliktin mes partnerëve të konsorciumit që fitoi në vitin 2021 koncesionin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Përplasjet brenda konsorciumit kanë sjellë vonesa në përmbushjen e afateve kontraktore, duke ekspozuar projektin ndaj masave ndëshkuese që mund të ndërmarrë shteti shqiptar.
Pikërisht ky zhvillim, sipas burimeve tona, qëndron në zanafillën e përfshirjes së Grupit Mabetex në financimin dhe organizimin e përpjekjeve për tjetërsimin e protestës. Burimet pohojnë se Mabetex ka sponsorizuar grupe që veprojnë si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj, konkretisht në Kosovë dhe në diasporën shqiptare.
Burime të sigurta të Shqipëria News, të cilat raportohen si të konfirmuara nga struktura të sigurisë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, pretendojnë se përfaqësues të Grupit Mabetex kanë tentuar të ushtrojnë presion ndaj Kryeministrit Edi Rama. Sipas këtyre burimeve, është ofruar qetësimi i situatës së krijuar nga protestat në këmbim të mbështetjes së qeverisë shqiptare për Mabetex në konfliktin mes partnerëve të konsorciumit, si edhe të mosndërmarrjes së masave ndëshkuese për vonesat në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kontrata koncesionare.



