Nga Adrian Thano
Njoftimi për zbutjen e sanksioneve Non Grata përmes mekanizmit të “waiver” flet më shumë për metamorfozën e Uashingtonit se për Sali Berishën. Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara funksionuan si garantuesi global i rendit perëndimor. Uashingtoni investoi miliarda në aleanca, në siguri kolektive, në projekte strategjike.
Këto jo gjithmonë prodhonin fitim të drejtpërdrejtë financiar. Logjika ishte tjetër. Fuqia ushqehej jo nga fitimi i menjëhershëm, por nga ndikimi afatgjatë, prestigji dhe autoriteti moral.
Donald Trump e përmbysi këtë paradigmë. Politika e tij e jashtme është bilanc kontabël. Mbrojtja kushton. Mbështetja kushton. Edhe “miqësia” kushton. Aleatët duhet të paguajnë.
Kjo qasje i ka ndryshuar tashmë edhe mekanizmat e vendimmarrjes në Uashington. Linjat tradicionale ideologjike të Departamentit të Shtetit janë zbehur. Në vend të tyre janë forcuar lobistët, firmat e influencës, makineritë e shtrenjta të marrëdhënieve publike. Kjo botë po shihet nga administrata Trump më shumë si treg dhe gjithnjë e më pak si kauzë apo si mision.
Ky pragmatizëm i ftohtë po gërryen me shpejtësi atë kapital të jashtëzakonshëm besimi që Uashingtoni ndërtoi me aq mund në dekada.
Edhe vendimi për Sali Berishën ilustron në nivel lokal këtë frymë të re të një Amerike që po ndryshon. Vendimi ndaj tij ka rëndësi jo për peshën periferike të personazhit por për të kuptuar që edhe morali politik po fiton çmim tregu. Kështu nuk mbetet më asgjë e shenjtë dhe asgjë e pacenueshme.
Është leksion i fortë për vende si Shqipëria, ku deklaratat e Uashingtonit dhe të ambasadës amerikane janë trajtuar si shkrime të shenjta.
Sidoqoftë, këtu mbaron historia amerikane dhe fillon historia shqiptare.
Problemi i vërtetë i Sali Berishës nuk ka qenë kurrë Amerika. Llogarinë e tij më të rëndë ai e ka me historinë e këtij vendi, jo me Departamentin e Shtetit.
Këtu është shpallur “Non Grata” shumë kohë përpara se ta shpallte Uashingtoni dhe kujtesa e një populli nuk ka procedurë apelimi.
Vula e izolimit të tij real është vulë gjaku mbi plagë që kanë mbetur të hapura. Gërdeci, 21 Janari e shumë të tjera janë kujtesa e përditshme e tranzicionit tonë të gjatë dhe traumatik, ku pushteti dhe mungesa e ndëshkimit kanë ecur krah për krah.
Ky realitet ka prodhuar një kastë politike që ka jetuar mbi besimin e tradhtuar të qytetarëve. Kjo kastë e ka kthyer varfërimin e shpresës në mjetin më efikas të sundimit.
Por teatri i tyre i llogoreve false sot ka marrë fund. Rrugët janë mbushur me revoltë dhe qëndresë. Slogani ‘Rama në burg, Berisha në burg’ është kthyer në refrenin e kësaj revolte.
Ky slogan është diagnozë politike. Është bindja se problemi i Shqipërisë nuk kufizohet më, te një qeveri apo te një parti, por te e gjithë klika që ka dominuar jetën tonë publike për më shumë se tri dekada.
Kjo është arsyeja pse entuziazmi për një “waiver” amerikan tingëllon kaq i shkëputur nga realiteti shqiptar. Uashingtoni mund t’i rishkruajë doktrinat, mund edhe t’i relativizojë vendimet e veta. Por historia nuk jep “waiver”.



