
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj protestes per projektet e zhvillimit në Zvërnec dhe Sazan, duke i cilësuar protestat kundër tyre si të nxitura nga “tradhëtarë imagjinarë”, “projekte imagjinare” dhe pretendime të pabazuara për dëmtimin e natyrës.
Në postimin e tij, Rama kritikoi ashpër pjesëmarrësit në protestat e fundit, mes tyre blogerë, influencues dhe aktivistë, duke i akuzuar se po përdorin kauzën e mbrojtjes së mjedisit për interesa të tjera dhe për të fituar vëmendje në rrjetet sociale.
Sipas kreut të qeverisë, ndërsa protestuesit flasin për mbrojtjen e natyrës dhe flamingove, ata përdorin një gjuhë fyese dhe denigruese ndaj qytetarëve që kanë mendime të ndryshme.
Rama publikoi gjithashtu disa komente që, sipas tij, janë drejtuar ndaj mbështetësve socialistë në Elbasan, duke argumentuar se ato tregojnë se protestat kanë humbur karakterin ambientalist që pretendojnë të kenë.
Kryeministri siguroi se projektet në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit do të vijojnë sipas planit dhe nuk do të ndalen.
SHËNIM I DETYRUAR
Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë
mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme
Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota.



