
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar dy kërkesat e paraqitura nga ish-presidenti Ilir Meta, i cili kërkoi transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit në media dhe nxjerrjen e tij nga kafazi i qelqtë i sallës së gjyqit. Pas këtij vendimi, trupi gjykues urdhëroi fikjen e kamerave dhe vijimin e seancës me dyer të mbyllura.
Gjatë fazës së verifikimit të gjenealiteteve, Meta deklaroi para gjykatës statusin e tij të ri civil dhe vendndodhjen aktuale: “Në Tiranë banoj për momentin. Jam banues tek 313-ta. Gjendja civile jam beqar, domethënë i divorcuar”.
Më tej, ish-presidenti ngriti një kërkesë procedurale, duke kërkuar që fashikujt e hetimit t’i vihen në dispozicion në format shkresor. Ai sqaroi se mbrojtjes i është dorëzuar materiali në rrugë elektronike, por pajisja USB nuk lejohet të përdoret në ambientet e paraburgimit ku ai ndodhet.
Në fjalën e tij, Meta akuzoi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për mungesë objektiviteti dhe fshehje të fakteve që flasin në favor të tij. Ai shtoi se dosja e lobimit implikon marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe personalitete të politikës në SHBA, duke pretenduar se prokuroria nuk ka qenë korrekte dhe nuk i ka dhënë të drejtën të mbrohet me fakte gjatë fazës hetimore.



