Për shkak të zhvillimit të ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit, autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie në qendër të Tiranës. Policia ka vendosur gardhe metalike përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në zonën përballë Kryeministrisë, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve në këtë segment.
Masat e marra ndikojnë edhe në organizimin e protestës së radhës kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit. Aktivistë dhe qytetarë që kundërshtojnë investimin kanë paralajmëruar tubimin e tyre të katërt radhazi në kryeqytet, ndërsa prania e forcave të shumta policore dhe rrethimi i zonës kanë ndryshuar situatën në terren.
Në bulevard janë angazhuar efektivë të shumtë policie për garantimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa gardhet metalike janë vendosur në pika kyçe pranë institucioneve shtetërore.
Organizatorët e protestës kanë bërë të ditur se reagimet qytetare do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur në kundërshtimin e projektit në Zvërnec dhe duke kërkuar tërheqjen e planit të investimit.



