
Një bisedë telefonike mjaft e tensionuar dhe me tone të ashpra është zhvilluar të hënën mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Mediat ndërkombëtare, duke cituar një raport të agjencisë „Axios“, bëjnë me dije se shkak i përplasjes ka qenë njoftimi i Izraelit për përshkallëzimin e operacioneve ushtarake në Liban dhe bombardimin e periferive jugore të Bejrutit.
Sipas burimeve, Trump ka përdorur një gjuhë të rëndë ndaj Netanyahut, duke e quajtur atë „të çmendur“ dhe duke e akuzuar për mosmirënjohje, pasi Uashingtoni ishte angazhuar më parë për të frenuar planin izraelit për goditjen e kryeqytetit libanez.
Në një nga deklaratat e zbardhura nga kjo bisedë, Presidenti amerikan mësohet t’i ketë bërtitur udhëheqësit izraelit duke i thënë: „Të gjithë ju urrejnë tani. Të gjithë e urrejnë Izraelin për këtë.“ Kjo vlerësohet si një nga telefonatat më të tensionuara mes dy liderëve që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Nga ana tjetër, Zyra e Kryeministrit Netanyahu ka reaguar më vonë përmes një deklarate zyrtare, duke konfirmuar se qëndrimi i Tel Avivit mbetet i pandryshuar. Sipas njoftimit, Izraeli do të vijojë operacionet në jug të Libanit dhe do të godasë Bejrutin nëse lëvizja Hezbollah nuk ndalon sulmet e saj.



