
Ushtria izraelite ka njoftuar se disa predha janë lëshuar nga territori i Libanit drejt veriut të Izraelit gjatë mbrëmjes së kaluar.
Sipas deklaratës së publikuar nga forcat izraelite, shumica e predhave u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa njëra prej tyre arriti të godasë zonën e Kiryat Shmona.
“U zbuluan disa predha të qëlluara nga Libani drejt territorit izraelit. Shumica u kapën dhe një goditje u raportua në zonën Kiryat Shmona. Nuk u raportuan të lënduar”, thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite të publikuar në rrjetet sociale.
Autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende detaje mbi dëmet materiale të shkaktuara nga goditja, ndërsa situata në zonën kufitare mbetet e tensionuar.
Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit, ku shkëmbimet e zjarrit dhe alarmet për sulme raketore kanë qenë të shpeshta muajt e fundit.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet libaneze lidhur me ngjarjen.



