
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë po hyn në një fazë të rëndësishme, ndërsa vlerësoi progresin e bërë në kuadër të reformës në drejtësi dhe negociatave me Bashkimi Europian.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Balla tha se kjo javë shënon përmbylljen e një faze teknike në institucionet europiane, ku puna e realizuar nga grupet negociatore kalon në nivelin e komitetit të përfaqësuesve për miratim.
Sipas tij, javën e ardhshme pritet të zhvillohet konferenca ndërqeveritare, ndërsa Shqipëria mbetet në ritmin e parashikuar për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
Balla u ndal edhe te koncepti i anëtarësimit gradual në BE, duke theksuar se ky proces nuk duhet parë me shqetësim, por si një mundësi për të përshpejtuar integrimin e vendit.
Ai nënvizoi se reforma në drejtësi, procesi i vettingut dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët europianë dhe konsiderohen model edhe për vendet e tjera aspirante.
“Shqipëria ka arsye të jetë optimiste për ecurinë e procesit të integrimit”, deklaroi Balla, duke shtuar se mbyllja e negociatave në vitin 2027 përputhet me programin e dakordësuar me Komisionin Europian.
Sipas tij, pas përfundimit të negociatave, marrëveshja e anëtarësimit do t’i nënshtrohet procesit të ratifikimit në vendet anëtare të BE-së, procedurë që në disa shtete mund të përfshijë edhe referendum popullor.



