Vizitorët që mbërrijnë në Tiranë sot, përballen menjëherë me pamjen e një qyteti në transformim të vrullshëm. Ndërtesat e larta që dominojnë horizontin dhe projektet e pafundme të ndërtimit, krijojnë natyrisht imazhin e një rritjeje të konsiderueshme ekonomike. Megjithatë, pas kësaj këtij imazhi shpesh fshihet një tjetër atmosferë, e shenjuar nga pasiguria dhe distancimi i njerëzve nga jeta publike.
I ftuar në episodin e kësaj jave të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, gazetari dhe publicisti Ben Andoni ndalet për të reflektuar se si ka ndikuar pabarazia në rritje dhe cinizmi politik në jetën publike shqiptare në këto tre dekada tranzicion, edhe pse ai shprehet se tranzicioni i vërtetë politik ka përfunduar shumë më herët.
Andoni e përshkruan Shqipërinë e sotme si një vend ku hendeku mes realiteteve që përjetojnë segmente të ndryshme të shoqërisë, sa vjen e thellohet. Elita ekonomike e vendit është izoluar gradualisht nga jeta e përditshme publike, duke u tërhequr në mjedise ekskluzive private, ndërsa një pjesë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë përballet me presion dhe pasiguri ekonomike.
Megjithatë, Andoni thekson se asnjë sasi pasurie – sado e madhe qoftë – nuk mund t’i ndajë plotësisht njerëzit nga shoqëria përreth tyre. Edhe ata që kanë pushtet ekonomik, vazhdojnë të përballen me degradimin e realitetit public, qoftë në formën e mjediseve urbane të ndotura, institucioneve të dobëta, por edhe degradimit të hapësirës së përbashkët sociale.
Ai shton ndër të tjera se elita ekonomike shqiptare është shkëputur thuajse plotësisht nga shqetësimet e përbashkëta sociale, për t’u fokusuar tek ruajtja e pasurisë dhe rritja e influencës politike. Teksa i referohet Tiranës së viteve 1930-të si shembull krahasimor, Andoni thotë se elita ekonomike e atëhershme ishte në gjendje të formonte edhe rrethe kulturore, ndërsa sot ajo mbetet e fokusuar tek gara për para dhe akses në pushtetin politik.
Ç’ndodh me një shoqëri kur suksesi individual vazhdon të rritet, ndërsa besimi tek një jetë e përbashkët publike zhduket?



