Rama ishte pjesë e një paneli gjatë vizitës së tij në Estoni, ku diskutoi për situatën e Europës në një kontekst të ri gjeopolitik, në konferencën Lennar Meri.
Rama u shpreh se europianët nuk duhet të drejtojnë gishtin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ish-presidentit Donald Trump, por të fokusohen te vetvetja dhe të rivlerësojnë pozicionin e tyre për të përballuar sfidat e reja.
“Fragmentarizimi burokratik në NATO 3.0 dobëson reagimin dhe minon legjitimitetin politik, duke kërkuar gjithnjë më shumë fuqi ushtarake. Këto janë shqetësime që duhet të na motivojnë të rishikojmë pozicionin tonë, në vend që të fajësojmë të tjerët”, tha kryeministri.
Ai theksoi se përgjigja europiane ndaj sfidave globale nuk duhet të kufizohet vetëm në shpenzime të mëdha, por të adresojë edhe problemet strukturore. “Kur vjen fjala te mënyra se si duhet të veprojmë, nuk mund të shohim vetëm aritmetikën e Bruto Produktit Vendor, por duhet të analizojmë thellë strukturat dhe kapacitetet tona reale”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë përfundoi fjalën me një reflektim për përgjegjësitë e Europës: “Europa duhet të bëjë vetvetes një pyetje: sa mund të shpenzojë një civilizim për të ruajtur vetveten pa dobësuar themelet e tij?”



