Presidenti Xi paralajmëroi Trump se mosmarrëveshjet mbi Tajvanin mund ta çojnë SHBA-në dhe Kinën drejt përplasjeve ose konfliktit, raportojnë mediat shtetërore kineze që citon Associated Press.
Në një takim me dyer të mbyllura, Xi i tha Trump se nëse çështja e Tajvanit trajtohet siç duhet, marrëdhëniet SHBA-Kinë “do të gëzojnë stabilitet të përgjithshëm”, sipas një përmbledhjeje të bisedimeve dypalëshe të publikuar nga agjencia zyrtare kineze Xinhua.
Në të kundërt, megjithatë, të dy vendet rrezikojnë “përplasje dhe madje konflikte, duke vënë në rrezik serioz të gjithë marrëdhënien”, citohet të ketë thënë Xi.
Shtëpia e Bardhë dhe mediat shtetërore kineze thanë se liderët përfunduan takimin e tyre pas rreth dy orësh bisedime.
Liderët diskutuan tregtinë, Tajvanin dhe mosmarrëveshje të tjera në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Trump tha “shkëlqyeshëm” kur gazetarët e pyetën se si kishin shkuar bisedimet me Xi.
Por kjo ishte pothuajse gjithçka që ai tha. U bënë edhe pyetje të tjera nëse kishin diskutuar për Tajvanin. Trump nuk u përgjigj, ndërsa pozonte pranë Xi për fotografët, pasi mbërritën në Tempullin e Qiellit.
Xi thotë se SHBA dhe Kina duhet të jenë “partnerë dhe jo rivalë”
SHBA dhe Kina duhet të jenë “partnerë dhe jo rivalë”, i tha Presidenti Xi, homologut Trump përpara bisedimeve dypalëshe.
“Gjithmonë kam besuar se interesat e përbashkëta mes Kinës dhe SHBA-së janë më të mëdha se dallimet e tyre,” tha Xi. “Bashkëpunimi u sjell përfitim të dyja palëve, ndërsa përballja i dëmton të dyja.”
Xi shtoi se dëshironte që viti 2026 të ishte një “vit historik” në marrëdhëniet mes dy vendeve.



