Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin kundër çdo përpjekjeje për një përshkallëzim të ri ushtarak kundër Iranit, duke deklaruar se kërcënimet dhe lufta e mëparshme nuk arritën objektivat e tyre dhe çdo tentativë e re do të përfundojë njësoj.
Duke folur në margjinat e takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të vendeve të BRICS në New Delhi, Araghchi tha se Irani është mësuar me këto kërcënime.
“Jemi mësuar me këto deklarata. I kanë përsëritur prej kohësh në forma të ndryshme, por edhe ata vetë e dinë se nuk arritën asgjë dhe nuk do të arrijnë asgjë, as me kërcënime dhe as me luftë,” u shpreh ai.
Kryediplomati iranian theksoi se nuk ekziston zgjidhje ushtarake për çështjet që lidhen me Iranin.
“Irani nuk përkulet përballë presionit. Ata e provuan këtë vetë gjatë luftës 40-ditore kundër nesh dhe panë rezultatin. Sa më shumë kërcënime, aq më shumë dështim,” deklaroi ai.
Sipas Araghchi, Irani ka dalë më i fortë pas konfliktit, duke pretenduar se shumë vende tashmë e shohin Republikën Islamike si një fuqi rajonale me aftësi për t’u përballur me aktorët më të mëdhenj ndërkombëtarë.
Ai shtoi se lufta ka ndryshuar ekuilibrat në rajon dhe ka krijuar nevojën për një qasje të re ndaj sigurisë dhe stabilitetit.
Në deklaratën e tij, Araghchi sulmoi edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i akuzuar se mbështetën SHBA-në gjatë konfliktit dhe nuk mund të paraqiten si viktimë.
“Ka prova të qarta dhe pranime nga zyrtarë amerikanë se Emiratet vunë në dispozicion bazat, hapësirën ajrore dhe territorin e tyre për operacione kundër Iranit,” tha ai.
Sipas ministrit iranian, si kundërpërgjigje, Irani goditi vetëm objektiva ushtarake amerikane në territorin e Emirateve.
Në fund, ai bëri thirrje për një qasje të re rajonale, duke theksuar se siguria nuk mund të ndërtohet përmes aleancave me fuqi të jashtme, por përmes bashkëpunimit mes vendeve fqinje.
“Ne dhe Emiratet jemi fqinjë. Kemi jetuar pranë njëri-tjetrit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Siguria duhet të vijë nga bashkëpunimi mes nesh, jo nga vendet e huaja,” përfundoi ai.



