Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se procesi i vettingut ka qenë një nga elementët më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, duke e cilësuar atë si një hap kyç drejt ndërtimit të një sistemi ku “qeverisja bëhet nga ligji dhe jo nga forca”.
Deklaratat u bënë gjatë fjalës së tij në kuadër të Kongresi Botëror i Ligjit, një forum ndërkombëtar i dedikuar sundimit të ligjit, i cili mblodhi në Tiranë përfaqësues dhe ekspertë të ndryshëm nga fusha e drejtësisë.
Rama theksoi se organizimi i këtij kongresi në Shqipëri është një moment me rëndësi të veçantë për vendin, duke e konsideruar si dëshmi të përparimit në fushën e reformave dhe forcimit të institucioneve të drejtësisë.
“Një botë e udhëhequr nga ligji dhe jo nga forca është një moto që e ka lindur vetë ideja e sundimit të ligjit,” u shpreh ai.
Kryeministri kujtoi gjithashtu procesin e reformës në drejtësi dhe konsultimet për vettingun, duke thënë se në momentin e nisjes së reformës, kjo nismë u konsiderua thelbësore për pastrimin e sistemit gjyqësor.
“Vettingu ishte një pikë kyçe në të cilën ne besuam të parët dhe bëmë të gjitha përpjekjet që të mbështetej nga partnerët tanë,” tha Rama.
Ai shtoi se pak vite më parë do të ishte e vështirë të imagjinohej që një event i tillë ndërkombëtar do të zhvillohej në Tiranë, duke e lidhur këtë me transformimet e vendit në dekadën e fundit. Në fund, Rama nënvizoi se Shqipëria synon të konsolidojë më tej shtetin e së drejtës si pjesë e procesit të integrimit europian dhe modernizimit institucional.



