Nga Andrea Danglli
Pak pas vrasjeve në Durrës, një koleg i kronikës së zezë më shkroi duke më sugjeruar që të mos i publikoj në platformat digjitale pamjet e rënda të tragjedisë.
Madje më solli si referencë edhe disa reagime në rrjete sociale që kërkonin të njëjtën gjë, ku mes tyre edhe zyrtarë që më shumë ishin të lebetitur nga ajo që po bënin mediat.
Shumë prej tyre i njoh. Janë po ata vetë që në raste të tjera krenohen kur përkëdhelen nga policia, rrahin gjoksin kur i tregojnë muskujt ndonjë efektivi të trembur, apo kur i shpëtojnë gjobave me atë që e quajnë “Tek telefonatë!”.
Media ka plot mëkate, por nuk qe sot “Dita e gjykimit” për të.
Veç kësaj, e vërteta është se vetë gazetarët kanë ardhur duke e shtuar kujdesin për të trajtuar si duhet informacionin brenda tronditjes, pavarësisht se derra ka në çdo pyll televizioni e gjarpërinj në çdo livadh portali.
Në fakt, një gabim që pati media është se shumë prej reagimeve nuk duheshin publikuar fare po aq sa pamjet, megjithëse për raste si këto vetë dhimbja u jep njerëzve një manual fjalësh prekëse, të kërkojnë dënime ekstreme, të bëjnë gjyqe publike me varje, karrige elektrike, burg përjetë.
Për këto madje mjaft t’i shkruash ChatGPT dhe të shndërron ajo menjëherë në një vajtonjës dhe moralist të zotë, qytetar model gjasme që i ve kapakun apo pikën i-së, j-së, ë-së.
Të gjitha këto thënë në këtë moment marrin shumë like e share, por asnjëra prej tyre nuk shpëton jetë, përveç se përpiqet të na shkrijë sado pak dhjamin e empatisë që ka kapur të përditshmen tonë.
Për kaq mund të vlejë, por ama thelbi është sa jetëshpëtues jemi në përditshmëri?
Kur policit i tregojmë pozicionin e punës e jo patentën, kur Maliqi ka më shumë peshë se ligji, kur telefoni ka më shumë vëmendje se tabela, kur tregojmë me krenari fuqinë çudibërëse të një 20-çe apo 50-çe para një efektivi të uritur për para, kur gangsterizmi me video ndaj uniformave blu është reels trimash në rrjete sociale, kur rrugët bëhen pista për makina fluturuese, kur heshtim e qeshim tek e shohim këtë situatë dreqi.
Të gjitha këto na vendosin në një llogore me vrasësin halabak, edhe pse është e rëndë për ta dëgjuar e jo më pranuar.
Këtu fillon edhe tragjedia, jo tek një minutë aksident!
Ajo ka pikënisje faktin që në jetën e përditshme ne tolerojmë, ushqejmë dhe madje admirojmë shkeljen aq sa para shkelësit të ligjit kujtdo i duket vetja si “I fundit i Mojkanëve”.
Vazhdon te fakti që institucionet kujtohen të na kërkojnë reflektim sot kur vetë ndreqja nuk realizohet në një moment por me beteja të përditshme, ku lufta me rrugën çdo ditë bëhet më e pamëshirshme.
Dhe e gjitha mbaron te mënyra si qasemi ndaj vrasësit.
Ai është padyshim një halabak që sot thotë nuk e meriton të jetojë, e nesër me gjasë po ta lirojnë, do dojë t’ja hypë prap makinës pa e çarë kokën për të pirë birra.
E aq më tepër që e kishte të “zgjidhur” me policët që të lëvizte xurxull sa t’i hante freksioni e gurmazi.
Po ai nuk është i fundit halabak edhe nëse e zenë të gjitha mallkimet që i kemi lëshuar.
Portrete si ai gjen plot, madje disa prej tyre i sheh të ngasin si të çmendur dhe marrëzinë e tyre e ndajnë në rrjete sociale si trimëri. Po ata më pas i sheh edhe në podiumet e politikanëve që i prezantojnë si modele suksesi.
Po ku u rritën këta njerëz? Kush i “trimëroi”? Kush i bëri të ndihen të paprekshëm?
Nëse nuk i përgjigjemi sinqerisht këtyre pyetjeve, kjo është hipokrizia jonë kolektive që kërkojmë dënime shembullore veç pas tragjedisë.
Të tjerat pastaj mbeten spektakël dhe spektakli me dhimbjen fatkeqësisht shet aq shumë, e për disa shet edhe kur e bëjnë të neveritshëm.
Në fund si shqiptarë duhet ta kemi minimumin e njerzillëkut për t’i lënë familjarët t’i qajnë vetë dramat e tyre.
Askush nuk ka nevojë për patetizmat e lotët virtuale.
Secili e bën reflektimin në mënyrën e vet, mjaft kur të ndezim makinën të mendojmë që një ditë mos jemi ne ai halabaku vrasës që të gjithë sot e kërkojnë të vdekur, duke përfshirë edhe ai veten.
Për të tjerat, Zot falna, ne nuk dimë çfarë bëjmë!



