Emërimi i Blerina Gjylameti në krye të Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vjen në një moment të rëndësishëm për sigurinë ushqimore në vend, një sektor që kërkon besim publik, standarde të larta dhe vendimmarrje të qëndrueshme. Me një përvojë të gjatë në shërbimin publik dhe në proceset vendimmarrëse, ajo sjell një qasje të orientuar drejt profesionalizmit, transparencës dhe forcimit të institucioneve.
Në një institucion që ka përballur sfida ndër vite, pritshmëritë janë për një drejtim që konsolidon kontrollin, rrit përgjegjshmërinë dhe ndërton ura bashkëpunimi si me biznesin, ashtu edhe me qytetarët. Fokusi i saj në standardet europiane, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e komunikimit publik sinjalizon një përpjekje për ta kthyer AKU-në në një institucion më të besueshëm dhe më efektiv në garantimin e sigurisë ushqimore.
Në këtë kuadër, Ilir Demalia ka realizuar një intervistë me drejtoreshën e re, ku trajtohen çështje kyçe që lidhen me funksionimin e institucionit, sfidat aktuale dhe vizionin për përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend.
Intervista e plotë:
1-Laboratori duhet ti shërbejë vetëm shtetit apo dhe sipërmarrësit?
Autoritetet kompetente caktojnë laboratorë zyrtarë të autorizuar për të kryer analiza laboratorike, teste dhe diagnoza, në mostrat e marra gjatë kontrolleve zyrtare dhe aktiviteteve të tjera zyrtare. Ata janë pjesë në procesin e vlerësimit të riskut, me të dhënat e përdorura dhe rezultatet e raportuara në mënyrë të pavarur, objektive dhe transparente, udhëheqin veprime që ndiqen në mënyrë të standardizuar sipas fushave të veprimit, me komponentet menaxhim dhe komunikim risku me qëllim kryerjen e një procesi sa më të plotë.
Kontrolli zyrtar në fushën që mbulon AKU, përfshin një ose disa veprimtari, një prej të cilave është marrja e mostrave dhe kryerja e analizave për arsye të ndryshme.
Për të kontrolluar përputhshmërinë me kriteret ligjore relevante në fuqi;
Për të monitoruar Operatorët e Biznesit Ushqimor dhe verifikuar sistemet e tyre të menaxhimit të sigurisë ushqimore;
Për të kontrolluar përputhshmërinë e një loti/parti malli individuale;
Për të verifikuar sigurinë e ushqimit, për të cilin nuk ka ndonjë kriter ligjor të vendosur në nivel kombëtar apo ndërkombëtar;
Për të përftuar informacion të përgjithshëm mbi statusin e (kontaminimit) të ndonjë produkti specifik të dhënë për t’u vendosur në treg;
Për të marrë informacion të përgjithshëm mbi ndonjë rrezik të ri, apo të sapo zbuluar, duke prodhuar të dhëna për profilizimin dhe vlerësimin e riskut, me fokusin dhe qëllimin që të aplikohen masa kontrolli të përshtatshme;
Për të investiguar rastet e njoftimeve nga RASFF, të ndonjë problemi që mund të ketë origjinën nga ushqimi etj, Në rastet e dyshimit etj.
Organizimi i aktivitetit të tyre, është në ndjekje të një strategjie mbi rrjetin laboratorik kombëtar sugjeruar nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, gjë e ndjekur nga politikat, duke krijuar pavarësinë strukturore e funksionale operative, duke shmangur çdo konflikt të mundshëm përballë proceseve të tjera. Pra aktiviteti i këtij laboratori i shërben mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe interesit të konsumatorëve, si dhe sipërmarrësit në marrëdhëniet e sipërcituara.
2-Sipërmarrësi ka dy sfida të parët me mallin që blen dhe të dytin me institucionin
Një operator i biznesit ushqimor ka marrëdhënie të drejtëpërdrejtë me AKU-në, si institucioni që garanton me ligj sigurinë ushqimore në vend.
OBU është subjekt kontrolli nga AKU dhe ka detyrimin e bashkëpunimit dhe transparencës me AKU gjatë kontrollit .
Një OBU që të ushtrojë aktivitet në Shqipëri ka detyrimin të sigurojë, sigurinë e ushqimit në cdo fazë të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit, të zbatojë sistemin HACCP ( analiza e rrezikut dhe pikat kritike të kontrollit), të regjistrohet dhe të licencohet, të garantojë gjurmueshmërinë e produktit (nga furnitori tek konsumatori), respekton kërkesat ligjore të etiketimit të produktit, garanton kushte të mira higjieno-sanitare gjatë ushtrimit të aktivitetit dhe duhet të njoftojë menjëherë AKU-në nëse një produkt paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve dhe tërheq nga tregu produktet e pasigurta për konsum.
Pra në thelb Operatori i Biznesit Ushqimor mban përgjegjësinë ligjore për sigurinë e ushqimit, ndërsa AKU ushtron kontrolle në zbatueshmëri të ligjit për ta garantuar sigurinë ushqimore.
3-Si verifikohet origjina e produktit, si funksionon kjo me dogana dhe AKU me numin e lotit?
Procedurat për kontrollin në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) për fushën e sigurisë ushqimore. Një sistem efektiv i kontrollit kufitar kërkon që për të gjitha dërgesat që importohen në Shqipëri, duhet të kryhet kontrolli i dokumentacionit, të identitetit fizik, nën përgjegjësinë e inspektorëve të PIK, përpara se të lirohet për qarkullim. Autoritetet doganore kryejnë procedurat doganore për ngarkesat ushqimore, pasi inspektorët në Pikat e Inspektimit Kufitar, kanë dhënë miratimin bazuar legjislacionit në fuqi. Për të gjitha ngarkesat të cilat mbërrijnë në Pikën e Inspektimit Kufitar,inspektori kryen kontrollet e mëposhtme:
Kontrolli i dokumentacionit, (kryen kontrollin mbi dokumentet që shoqërojnë produktet, të cilat janë paraqitur në Pikat e Inspektimit Kufitar. Në dokumentacion përcaktohet origjina e produktit: Për produktet me origjinë shtazore përcaktohet në certifikatë veterinare, të lëshuar nga veterineri zyrtar i vendit eksportues.
Për produktet me origjinë joshtazore, të cilat shoqërohen me certifikatë shëndeti të lëshuar nga inspektori zyrtar i vendit eksportues, ka të përcaktuar origjinën e produktit.
Për produktet me origjinë joshtazore që shoqërohen me certifikatë cilësie dhe raport analize, përcaktohet në certifikatën e origjines, Euro 1, faturë preferenciale.
Kontrolli i identitetit, (verifikohet që të dhënat që shfaqen në dokumentin shoqërues korrespondojnë me karakteristikat e dërgesës).
Kontrolli fizik (verifikohet nëse produkti përputhet me përdorimin e përcaktuar në dokumentacion) konkretisht kryhet kontrolli i etiketimit të produktit, ku përfshihet dhe numëri i lotit, i cili lidhet me afatin e jetëgjatësisë së produktit.
Referuar akteve nënligjore në fuqi, lejohet që të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Pikave të Inspektimit Kufitar:
Produktet ushqimore të cilat importohen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe kanë një jetëgjatësi deri në 3 muaj, lejohen të hyjnë nëpërmjet Pikave të Inspektimit Kufitar (PIK) nëse në momentin e hyrjes ka mbetur, jo më pak se ½ e afatit jetëgjatësisë së tyre të deklaruar në etiketën ose dokumentin shoqërues.
Produktet ushqimore të cilat importohen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe kanë një jetëgjatësi deri në 1 vit, lejohen të hyjnë nëpërmjet PIK ,nëse në momentin e hyrjes ka mbetur jo më pak se ½ e afatit të jetëgjatësisë së tyre të deklaruar në etiketën ose dokumentin shoqërues.
Produktet ushqimore të cilat importohen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe kanë një jetëgjatësi më shumë se 1 vit, lejohen të hyjnë nëpërmjet PIK nëse në momentin e hyrjes kane mbetur jo më pak se 6 muaj nga afati i jetëgjatësisë së tyre të deklaruar në etiketën ose dokumentin shoqërues.
4-Nga na futet ushqimi ne shqiptarëve nga importi pjesa më e madhe?
Në lidhje me pyetjen se nga cilat vende e kanë origjinën produktet ushqimore që vijnë nga importi në Republikën e Shqipërisë, ju informojmë se importohet nga vendet anëtare të BE-së, Turqi, SHBA, Brazil, Ekuador, si dhe nga vendet e rajonit, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.
5-Pse nuk stimulohet prodhimi i brendshëm?
Stimulimi i prodhimit të brendshëm bujqësor, është pjesë e politikave që hartohen dhe zbatohen nga MBZHR, e cila ka në fokus mbështetjen e fermerëve nëpërmjet skemave të financimit, të cilat po japin mbështetje konkrete në rritjen e prodhimit vendas.
AKU ka një rol mbështetës në këtë proces, ku prodhimi vendas jo vetëm të stimulohet, por edhe të mbështetet për të përmbushur standardet e kërkuara të shpërndarjes së ushqimit në treg.
6-Inspektori i AKU në dogana a ka korrupsion produktin që del në treg pastaj bëhet analiza?
Inspektorët në PIK, sipas fushave të përgjegjësisë kryejnë kontrolle në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së sëmundjeve, parazitëve karantinorë, si dhe për të garantuar sigurinë gjatë importit/tranzitit të ngarkesave të ushqimit, të ushqimit për kafshë, produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe të inputeve bujqësore, të shëndetit të kafshëve, produkteve mjekësore veterinare, për një mbrojtje sa më të mirë të konsumatorëve në territorin e Republikës së Shqipërisë;
Kryejnë kontrollin e ngarkesave të ushqimit, të ushqimit për kafshë, të mbrojtjes së bimëve dhe të inputeve bujqësore, të shëndetit të kafshëve, produkteve mjekësore veterinare, të cilat hyjnë, ose tranzitojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe verifikon përputhshmërinë e dokumentacionit shoqërues, të ngarkesave të importuara. Kontroll dokumentar, identiteti dhe fizik.
Kur vërehen mangësi në dokumentacion, malli bllokohet;
Inspektori për të verifikuar sigurinë e ushqimit të importuar si dhe bime e produkte bimore, ka të drejtë të marrë mostra dhe t’i dërgojë ato në laboratorët përkatës për kryerjen e analizave, në bazë të planit të miratuar nga Ministri i Bujqesisë dhe Zhvillimit Rural.
Ngarkesa e ushqimeve për të cilën ka dyshime, duhet të mbahet në ruajtje, brenda standardeve të lejuara, në magazinat doganore derisa të kryhet procedura e përcaktimit të sigurisë së tyre dhe procedura doganore.
Kontrollon certifikatat dhe dokumentet e tjera të sigurisë të cilat duhet të jenë në gjuhën shqipe dhe në gjuhen e vendit prej nga ato vijnë dhe siguron që ngarkesa të shoqërohet me dokumentacionin e sigurisë për ngarkesat që importohen, në përputhje me kërkesat ndërkombëtare, për sigurinë e ushqimit që importohet.
7-Biznese dhe supermarketet po përhapet shumë si e garanton AKU që subjektet mos shkelin ligjin e ushqimit se ndonjëher e shkelin ligjin pa dije.A keni menduar si ta njohi ligjin subjekti para se ta ndeshkoni?
Cdo operator i Biznesit Ushqimor, i cili kryen aktivitetin e tij, prodhues, përpunues dhe shpërndarës I produkteve ushqimore më RSH, ka detyrimin ligjor, të njihet dhe të zbatojë me përpikmëri kërkesat e legjislacionit në fuqi për ushqimin.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kryen kontrolle zyrtare në këto subjekte, bazuar në Planin vjetor me bazë risku, urdhra sezonal, si dhe nëpërmjet indicieve të ndryshme të ardhura në adresë të AKU-së.
Të gjithë bazën ligjore është e publikuar dhe e kategoriazuar në faqen zyrtare të AKU-së, aku.gov.al , si dhe nëpërmjet mjeteve informative të insitucionit.
Gjithashtu me qëllim ndërgjegjësimin dhe informimin e OBU-ve janë ndërmarë nga AKU fushata të ndryshme me fokus, zbatimin e kërkesave ligjore për cështje të ndryshme të sigurisë ushqimore.
8-Ju vini nga rrafshi politik.A keni menduar se do keni presion?
Përvoja ime në këto vite ka qënë e lidhur ngushtë me shërbimin publik, me vendimarrje dhe me përballimin e përgjegjësive në situata të ndryshme.Këtë detyre të re e shoh si një rol tërësisht institucional dhe profesional ku prioritet është funksionimi korrekt i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe respektimi i standarteve më të larta në sigurinë ushqimore. Vendimarrja ime nuk do të ndikohet nga interesa të jashtme, por do të mbështetet në ekspertizën teknike, në standartet europiane dhe interesin e qytetarëve.Fokusi im do të jetë forcimi I kapaciteteve të institucionit,rritja e kontrollit dhe parandalimit,si dhe ndërtimi I një raporti besimi me publikun dhe biznesin.Ky është një pozicion që kërkon përgjegjësi të lartë dhe angazhim maksimal dhe jam e vendosur ta ushtroj me profesionalizëm të plotë.



