Shqipëria vijon të mbetet destinacioni më i lirë për pushime në kamping në Europë. Çmimi mesatar për një natë kampingu për dy persona në Shqipëri është 14.38 euro, duke përfshirë vendqëndrimin, karavanin, makinën, energjinë elektrike dhe taksën lokale.
Ky nivel çmimi e rendit Shqipërinë ndër vendet më ekonomike në kontinent për pushime në natyrë, sipas raportit të publikuar nga portali gjerman camping.info*.
Në rang europian, një natë kampingu për dy persona kushton mesatarisht nga 14.38 euro deri në 41.26 euro, në varësi të vendit dhe nivelit të shërbimeve. Krahasuar me një vit më parë, çmimet në Europë janë rritur mesatarisht me 3.49%.
Ndër kampingjet më të vlerësuara në Shqipëri për vitin 2026 është “Kamping Pa Emër”, i cili veçohet si kampingu më i mirë në vend, raporton Monitor.al.
“Kampingu vazhdon të ofrojë raport shumë të mirë cilësi–çmim. Nëse udhëtoni me buxhet të kufizuar, kërkoni kampingje larg destinacioneve turistike më të njohura,” tha Maximilian Möhrle, drejtor menaxhues i camping.info.
Kampingu mbetet një formë pushimi që varet nga preferencat personale: disa kërkojnë më shumë rehati dhe shërbime luksoze, ndërsa të tjerë zgjedhin thjeshtësinë dhe kontaktin me natyrën. Po aq i ndryshëm është edhe buxheti i pushuesve.
Analiza e camping.info bazohet në të dhënat e çmimeve të publikuara nga vetë operatorët në platformë.
Çmimet e kampingut në Europë në vitin 2026
Kroaci: €41.26
Itali: €41.21
Zvicër: €40.68
Austri: €40.56
Slloveni: €35.71
Spanjë: €34.82
Danimarkë: €34.35
Gjermani: €30.27
Norvegji: €29.44
Finlandë: €28.46
Luksemburg: €28.23
Suedi: €28.22
Britani e Madhe: €27.00
Francë: €26.75
Islandë: €26.75
Holandë: €26.34
Irlandë: €26.38
Portugali: €26.27
Greqi: €26.07
Hungari: €24.80
Belgjikë: €23.77
Sllovaki: €23.37
Bullgari: €22.88
Lituani: €22.67
Serbi: €21.34
Estoni: €21.16
Letoni: €20.54
Republika Çeke: €20.15
Poloni: €19.93
Rumani: €19.63
Bosnjë-Hercegovinë: €19.37
Maqedoni e Veriut: €18.35
Turqi: €15.04
Shqipëri: €14.38.
*camping.info, me qendër në Berlin, është një nga platformat më të vizituara të kampingut në vendet gjermanishtfolëse, me mbi 23,000 kampingje të listuara në 44 vende. Përmes faqes së internetit dhe aplikacionit të dedikuar, platforma ndihmon kampistët të gjejnë dhe të planifikojnë pushimet e tyre në kamping.



