Zbardhen për herë të parë diskutimet e zhvilluara javën e kaluar në Gjykatën Administrative, ku u shyrtua kërkesëpadia e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të prokurorit Ols Dado në 2008.
Në transkriptin e seancës, kryebashkiaku Veliaj dhe avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca, argumentojnë se si Dado është emëruar në kundërshtim me kriteret ligjore, pas pasur Shkollën e Magjistraturës.
Në fjalën e tij, Veliaj është shprehur se si ai është ndoshta i vetmi njeri në Republikën e Shqipërisë që është kallëzuar nga një person që nuk ekziston, e që sipas tij ka një diferencë shumë e madhe nga një kallëzim anonim. Ai thotë se kjo që ka ndodhur është një kurth dhe një intrigë e paprecedentë.
Gjyqtari: Mirë, tani le të shkojmë te objekti i padisë.
Veliaj: Dhe ajo që më “kërcet” më shumë është konflikti i interesit. Kjo është arsyeja finale që më shtyu këtu. Nga telefoni i prokurorisë më është kërkuar disa herë që të ndërhyj për një leje ndërtimi në rrugën e Kavajës. Pra kemi një konflikt të hapur interesi. I kam thënë: “Ti merr kaq leje, por kullat i jep KKT, jo bashkia”. Bashkia funksionon me një formulë të qartë ligjore. Madje drejtues të bashkisë më kanë thënë: “Ky zotëri nuk është prokuror, por ndërmjetës”, sepse kërkonte leje edhe për të tjerë. Kjo ishte pika që mbushi kupën.
Gjyqtari: Për termat pexhorativë është mirë t’i shmangim.
Veliaj: Absolutisht. Po citoja deklarime të bëra nga drejtues të bashkisë. Në këtë moment, kur bashkon një kallëzim nga një person që nuk ekziston, një “vetting” të jetës që nga fëmijëria dhe një konflikt interesi, them: këtu ka diçka që nuk shkon. Nëse një kuzhinier bëhet pilot, a hipën njeri në avion? Sot jemi në një situatë ku duhet vlerësuar nëse vendosja e njerëzve në detyra pa plotësuar kriteret shkakton pasoja të rënda. Dhe këto pasoja nuk janë vetëm për mua, por për Bashkinë e Tiranës.
Gjyqtari: Po, te bashkia.
Veliaj: Buxheti i bashkisë është realizuar vetëm 20%. Nuk firmos më njeri. Klima e frikës është totale. Në 10 vite bashkia ka ardhur vetëm në rritje, ndërsa këtë vit ka rënie drastike. Nuk hapen kopshte, nuk përfundojnë shkolla. Dreka në shkolla për 170 mijë fëmijë nuk u realizua sepse askush nuk firmos. Pra kemi pasoja reale për qytetin: pastrimi, arsimi, shërbimet. Për këto arsye kërkoj nga gjykata një vlerësim të drejtë dhe informacion të plotë. Nuk mund të kemi përgjigje formale nga institucionet për një çështje kaq serioze.
Gjyqtari: Mirë, i japim fjalën Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Përfaqësuesi i Presidentit: Faleminderit i nderuar.
Gjyqtari: More qëndrime me shkrim.
Përfaqësuesi i Presidentit: Jo nuk jemi njohur ende.
Gjyqtari: Nuk i ke marrë, atëherë me prapësimet e palës së paditur Ols Dado dhe prapësimet e këshillit të lartë të prokurorisë.
Përfaqësuesi i Presidentit: I nderuar, faleminderit. Atëherë, është e vërtetë që kemi të bëjmë me një vendimmarrje të Presidentit të Republikës të vitit 2008, në të cilën dukshëm janë ushtruar kompetencat kushtetuese dhe ligjore nëpërmjet një dekreti për emërim dhe transferim të prokurorit nga z. Bamir Topi në atë kohë. Ajo çfarë më bën përshtypje është se avokati përmend nenet 17 dhe 18. Mirëpo, nëse i referohemi ligjit nr. 8737 dhe shkojmë më tej, për shembull te neni 20 apo neni 21, duket qartë që ky është një proces që, në atë kohë, iniciohej nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili merrte edhe mendimet e Këshillit të Prokurorisë, përpara se ky propozim t’i kalonte Presidentit të Republikës.
Megjithatë, ky është një qëndrim që ne nuk mund ta shtjellojmë plotësisht, pasi nga praktika e arkivuar që nga viti 2008 rezulton se kemi vetëm një propozim të ardhur nga Prokurori i Përgjithshëm, një shkresë përcjellëse dhe menjëherë pas kësaj, dekretin e nxjerrë nga Presidenti i Republikës në atë kohë. Ne mendojmë se kjo nuk mund të ishte finalizuar në këtë mënyrë, pra praktika nuk mund të konsiderohet e plotë nëse mungon një relacion apo një shpjegim i mëtejshëm se si është arritur në vlerësimin e këtyre kandidaturave, i cili në fakt kryhet nga Këshilli i Prokurorisë.
Sepse jemi njohur me kërkesë-paditë dhe gjatë gjithë kohës flitet për aktin administrativ, por në asnjë moment nuk sqarohet pjesa që ky është një proces që iniciohet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe supozohet se duhet të ishte ezauruar më parë faza e vlerësimit të kandidaturave. Rasti i z. Dado duhej të ishte shqyrtuar fillimisht nga Këshilli i Prokurorisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Presidenti është hapi i fundit procedural në këtë zinxhir. Ne nuk jemi të qartë se si Presidenti e ka shprehur vullnetin e tij nëpërmjet këtij dekreti dhe si është arritur deri në këtë pikë. Gjithashtu, nuk jemi të qartë nëse kjo është një praktikë e plotë. Pra, a ka akte të mëtejshme? A ka dokumente që mund të ndodhen pranë Prokurorisë dhe që ne nuk i kemi në arkivën tonë? Sepse neve nuk na rezulton asgjë tjetër përveç këtyre. Në këtë kuptim, ne nuk mbajmë dot një qëndrim lidhur me rrëzimin, por do ta lëmë në vlerësim të gjykatës, sepse realisht, me kaq pak sa kemi këtu, nuk arrijmë të themi se si është shprehur vullneti i Presidentit në atë kohë. Ne jemi përpara faktit: është një dekret për emërim dhe transferim prokurori, i cili vjen menjëherë pas propozimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Ne nuk dimë më tepër se si është arritur deri në atë pikë…
Gjyqtari: Po akti që kundërshtohet është i Presidentit.
Përfaqësuesi i Presidentit: Jam shumë dakord, por çështja është si është arritur deri te ai akt. Sepse sot, për shembull, kur na vijnë propozime nga Ministria e Mbrojtjes, ne bazohemi në një relacion, ka një arsyetim të strukturuar. Ndërsa këtu, kaq kemi në arkivë. Kjo është ideja.
Gjyqtari: Si organ, duke qenë se je njohur me një padi të tillë, duhet të komunikosh me institucionin përkatës që ka qenë në procedurë. Mund ta merrje informacionin dhe ta verifikoje vetë, nëse do të vlerësoje që akti është absolutisht i pavlefshëm. Tani po ia kërkon gjykatës?
Përfaqësuesi i Presidentit: Jo, ne thjesht po e lëmë në vlerësimin tuaj këtë çështje. Kjo është e gjitha.
Gjyqtari: Një qëndrim duhet ta mbash nëse akti është ose jo i pavlefshëm.
Përfaqësuesi i Presidentit: Proceduralisht, ne nuk mendojmë që akti është i pavlefshëm. Presidenti, në atë kohë, ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore. Megjithatë, nuk dimë se si ka funksionuar pjesa e vlerësimit nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm për kandidaturat. Sepse kriteret për kandidaturat nuk i takojnë Presidentit të Republikës; Presidenti nuk merret me procesin e vlerësimit. Supozohet që ky proces të jetë ezauruar nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Këshilli i Prokurorisë. E parashikon vetë neni 21: me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi ky i fundit merr mendimin e Këshillit të Prokurorisë, bëhet propozimi te Presidenti dhe ai vendos “po” ose “jo”.
Gjyqtari: I ka pasur Presidenti këto, kur e ka nxjerrë aktin? Propozimin dhe mendimin e Këshillit të Prokurorisë?
Përfaqësuesi i Presidentit: Kaq ka pasur Presidenti; kaq rezulton nga arkiva. Një shkresë përcjellëse që përmban vetëm propozimin.
Gjyqtari: Çfarë akti tjetër do të duhej?
Përfaqësuesi i Presidentit: Ne nuk e dimë se si… Atëherë, duke qenë se ajo që kundërshtohet është mospërmbushja e kritereve nga z. Dado, themi që nuk dimë se si është arritur apo si është vlerësuar ky proces. Nuk e bën Presidenti këtë. Kjo është ideja.
Gjyqtari: Mirë. Për kushtet formale të padisë ke për të thënë ndonjë gjë?
Përfaqësuesi i Presidentit: Jo, i nderuar.
Gjyqtari: Jo.
Ndreca: Për një sqarim formal.
Gjyqtari: Po.
Ndreca: Për të qenë të qartë edhe ne. Pra, ju konfirmoni – dhe kjo është shumë e rëndësishme – sepse kam bërë një kërkesë drejtuar institucionit tuaj…
Përfaqësuesi i Presidentit: Dhe ju është kthyer përgjigje.
Ndreca: Po, shumë faleminderit. Dhe vetëm për ta sqaruar në vijim të debatit: ju konfirmoni që, përveç dekretit të lëshuar, ka vetëm një propozim, që është ky?
Përfaqësuesi i Presidentit: Po, është ky.
Ndreca: Pra nuk ka asnjë proces…
Përfaqësuesi i Presidentit: Nuk ka asnjë akt tjetër, sepse edhe për ne ky është një proces i ri, që i përket vitit 2008.
Ndreca: Po, e kuptoj që është rishtazi, patjetër.
Përfaqësuesi i Presidentit: Në arkivë gjenden vetëm këto akte.
Ndreca: Pra, në institucionin e Presidentit ka vetëm një propozim, pa asnjë dokumentacion shqyrtues nga Këshilli i Prokurorisë, pa një mendim të Prokurorit të…
Përfaqësuesi i Presidentit: Pikërisht këtë sapo po thoja.
Ndreca: E kuptova, prandaj po e bëja edhe pyetjen, sepse kam shumë interes të dëgjoj një përgjigje të saktë për këtë çështje. Pra, nuk ka në institucionin e Presidentit asnjë mendim të Prokurorit të Përgjithshëm, as CV, as historik.
Veliaj: Avokati pyeti për Erionin, por unë po pyes për Kryetarin e Bashkisë, meqë kam punuar me vite dhe e di që për të çuar një vendim në Këshillin Bashkiak duhet një relacion, duhen dokumente, duhen dëgjesa në komisione. Pra, ju po më thoni që në këtë emërim nuk ka asgjë tjetër përveç një letre ku Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, thotë që filani të bëhet prokuror. Këtë po thoni?
Përfaqësuesi i Presidentit: Ekziston vetëm ky propozim nëpërmjet shkresës përcjellëse, i cili më pas shoqërohet me dekretin përkatës. Pra, në arkivën tonë nuk disponojmë një relacion të arsyetuar lidhur me kandidatët e propozuar.
Veliaj: Pa relacion, pa vendim të Këshillit të Prokurorisë?
Veliaj: Teorikisht, për të cituar një vepër të njohur, nëse Prokuroria e Përgjithshme do të kishte thënë të emëronim “Gomarin e Babatasit”, ju do të kishit ndryshuar dekret? Teorikisht po flas, pra a bëhet një verifikim?
Gjyqtari: Mund të përdorësh një paralele më…
Veliaj: Është një vepër që e dua fort.
Ndreca: Është folklorike.
Veliaj: …(nuk kuptohet). Pra, nëse do të vinte një propozim i tillë, institucioni nuk bën asnjë verifikim? Pra apriori e merr dhe e dekreton?
Përfaqësuesi i Presidentit: Kjo pyetje i referohet vitit 2026 apo vitit 2008? Sepse nëse flasim për veprimtarinë e institucionit sot…
Veliaj: 2008.
Gjyqtari: Pra, po e thjeshtojmë, po e bëjmë më konkrete…
Përfaqësuesi i Presidentit: I nderuar, duhet të kishte një relacion shoqërues, të cilin ne nuk e kemi.
Gjyqtari: Nëse do të ishte dikush tjetër, me një profesion që nuk ka lidhje me fushën juridike, me kaq dokumentacion, do ta dekretonte Presidenti?
Përfaqësuesi i Presidentit: Sot, jo. Në atë kohë nuk e dimë nëse ka qenë i mjaftueshëm ose jo. Për mendimin tim, duhet të kishte pasur një relacion arsyetues.
Veliaj: Faleminderit, kaq kisha



