Ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams, është regjistruar zyrtarisht si banor i Njësisë Administrative Nr. 2 në kryeqytetin shqiptar, pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare disa ditë më parë.
Sipas njoftimit të bërë publik nga drejtuesi i njësisë, Florian Pullazi, Adams ka kryer procedurat e regjistrimit si rezident në Tiranë dhe ka aplikuar gjithashtu për pajisjen me pasaportë shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Pullazi e ka cilësuar ish-kryebashkiakun e New Yorkut si “banorin më të ri të njësisë nr. 2”, duke theksuar vizitën e tij në ambientet e institucionit lokal.
“Eric Adams, banori më i ri i njësisë nr. 2 në Tiranë! Me kënaqësi mikprita sot në ambientet e njësisë administrative nr. 2 në Tiranë, ish-kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut dhe ish-senatorin e njohur, Eric Adams”, thuhet në reagim.
Ai shton se Adams është një figurë e njohur për angazhimin e tij në çështjet e sigurisë publike dhe se lidhja e tij me komunitetin shqiptar në SHBA ka qenë e gjatë dhe e fortë.
Sipas deklarimeve, marrja e nënshtetësisë shqiptare nga Adams shihet edhe si një simbol i marrëdhënieve mes qytetit të New Yorkut dhe diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet lokale në Tiranë e kanë mirëpritur këtë zhvillim, duke e konsideruar një moment simbolik për bashkëpunimin dhe lidhjet ndërkombëtare të komunitetit shqiptar.



