Vatikani ka reaguar për herë të parë pas deklaratave kritike të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Papa Leo XIV, duke theksuar dallimet e thella në qasjen dhe gjuhën e përdorur nga palët.
Në një reagim publik në rrjetin social X, Antonio Spadaro u shpreh se Trump përdor një gjuhë që synon dominimin, ndërsa Papa komunikon në një nivel tjetër moral dhe etik.
“Trump nuk debaton me Leon: ai i lutet atij të tërhiqet në një gjuhë që ai mund ta dominojë. Por Papa flet një gjuhë tjetër, një gjuhë që refuzon të reduktohet në gramatikën e forcës, të sigurisë dhe të interesit kombëtar”, deklaroi ai.
Përplasja mes dy figurave vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare. Papa Leo XIV, i pari papë amerikan, ka qenë së fundmi më i zëshëm lidhur me konfliktet që përfshijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Irani, duke dënuar retorikën kërcënuese dhe duke e cilësuar atë “të papranueshme”.
Nga ana tjetër, gjatë një deklarate për gazetarët, Donald Trump u shpreh kritik ndaj Papës, duke theksuar se nuk është dakord me qëndrimet e tij dhe duke e akuzuar për pozicione politike që, sipas tij, i shërbejnë të majtës radikale.
Ai shtoi gjithashtu se Papa është “i dobët” në çështjet e rendit dhe “i pasaktë” në politikën e jashtme, duke thelluar më tej përplasjen verbale mes dy figurave.



