Nga Ilir Demalia
Kur nisesh nga Tirana drejt bregdetit të veriut, rruga që të çon drejt Gjirit të Lalëzit kalon përmes një peizazhi që ndryshon ngadalë. Fillimisht janë fushat, pastaj kodrat e buta që fillojnë të ngrihen mbi horizont, dhe më tej një qetësi që të jep ndjesinë se po largohesh nga ritmi i zakonshëm i vendit.
Në një prej këtyre kodrave, ku ajri mbart një përzierje aromash deti dhe toke, shtrihen vreshtat e Kantinës Duka. Hardhitë janë rreshtuar me një rregullsi gjeometrike, duke ndjekur relievin e kodrave sikur të ishin vizatuar me laps mbi një hartë të gjelbër. Në pranverë sythat e rinj shpërthejnë mbi degë, në verë gjethet krijojnë një det të gjelbër, ndërsa në vjeshtë rrushi merr ngjyrat e thella të purpurit.
Ka vende që lindin si biznese dhe ka vende që lindin si histori. Vende që ndërtohen mbi projekte financiare dhe vende që ndërtohen mbi një marrëdhënie të thellë mes njeriut dhe tokës. Kantina Duka në Lalëz i përket kësaj të fundit. Nuk është vetëm një kantinë vere, as vetëm një restorant apo një kompleks agroturistik. Është një histori që fillon me një agronom që besonte te toka dhe përfundon sot në një peizazh që të kujton qetësinë dhe harmoninë e kodrave të Toskanës.
Në Shqipëri, agroturizmi po merr formë çdo vit e më shumë. Në shumë zona të vendit, nga veriu në jug, njerëz të lidhur me tokën kanë filluar të krijojnë ferma, bujtina, kantina vere dhe restorante që bashkojnë traditën me gastronominë dhe natyrën me mikpritjen. Ky zhvillim nuk ka ardhur nga politika të mëdha shtetërore, por nga iniciativa private, nga njerëz që kanë zgjedhur të investojnë në tokën e tyre.
Megjithatë, ndërsa pasioni dhe vizioni i këtyre njerëzve kanë krijuar destinacione të reja turistike, një element vazhdon të mbetet i dobët: infrastruktura. Rrugët që të çojnë drejt këtyre oazeve shpesh janë të vështira, të ngushta ose të amortizuara. Nëse Shqipëria dëshiron ta kthejë agroturizmin në një nga shtyllat e ekonomisë së saj turistike, atëherë duhet të kuptojë se arteriet që lidhin këto zona janë po aq të rëndësishme sa edhe vetë investimet private.
Sepse këto vende nuk janë vetëm biznese. Ato janë laboratorë të një Shqipërie tjetër. Një Shqipëri që prodhon, që kultivon dhe që mikpret.
Në këtë panoramë, Kantina Duka në Lalëz është një nga shembujt më të bukur.
Historia e kësaj kantine fillon me një njeri: Enver Duka, agronom dhe mësues, një dashnor i natyrës dhe një zotëri i rrallë.
Ata që e kanë njohur nuk e përmendin shpesh me emrin e plotë. Për shumicën ai ishte thjesht “Gjyshi”.
Emri i tij është Enver Duka.

Enver Duka (Gjyshi) ideuesi dhe krijuesi i vreshtës dhe Kantinës
Pas rikthimit të pronave të familjes së bashkëshortes së tij Vajdie në zonën e Lalëzit, ai vendosi të bëjë atë që dinte dhe donte më shumë: të krijojë një vresht nga e para.
Në fillim nuk kishte asgjë. Kodrat ishin të mbuluara me shkurre dhe bimësi të egër. Ishte një terren që kërkonte punë të gjatë dhe durim.
Në vitin 2003 filloi shpyllëzimi i kodrave dhe përgatitja e tokës.
Në 2004 u mbollën vreshtat e para.

Hardhia kërkon kohë. Nuk është një kulturë që të shpërblen menjëherë. Ajo kërkon vite për t’u rritur, për të marrë frymë me tokën dhe për të dhënë frytin e saj të parë.
Tre vjet më vonë, në 2007, nga këto kodra doli vera e parë e Kantinës Duka.
Sot, kur shëtit nëpër vreshtat e Lalëzit, të duket sikur çdo gjë është ndërtuar me një qetësi të menduar mirë. Rreshtat e rrushit shtrihen mbi kodra me një rregullsi që të kujton vreshtat e Italisë.
Kur shëtit përmes vreshtave, duket sikur të shoqëron Gjyshi, si një Ciceron duke spjeguar gjithë historinë e vreshtës
Këtë ta fut në kokë dhe ajo ç’ka është shkruar në hyrje të kantinës është si një testament shpirtëror:
“Kudo dhe kurdoherë që të më kërkoni, më keni në vresht!”
Enver Duka
Dhe vërtet, kur ecën mes hardhive, ndien sikur Gjyshi është ende aty.
Në mënyrën si janë rreshtuar vreshtat.
Në qetësinë e peizazhit.
Në filozofinë e kantinës që mbështetet mbi cilësinë dhe jo mbi sasinë.
Prodhimi i parë i kantinës përfshinte disa nga varietete më të njohura të verës: Merlot, Cabernet Sauvignon dhe Tempranillo.
Klima e Lalëzit, e ndikuar nga afërsia me detin dhe nga kodrat përreth, rezultoi ideale për kultivimin e rrushit. Mikroklima e zonës krijon një balancë të veçantë mes lagështisë së detit dhe freskisë së kodrave, duke i dhënë verës aromë dhe karakter.
Një nga produktet që shpejt u bë simbol i kantinës ishte Rakia e Gjyshit.

Kjo raki rrushi mbahet për 24 muaj në fuçi lisi francez dhe amerikan, duke marrë një aromë të butë dhe një karakter të thellë. Dashamirësit e saj e quajnë shpesh me humor: “ilaç”.
Me kalimin e viteve, kantina filloi të prodhojë edhe varietete të tjera.

Ndër verërat më të veçanta është Shesh i Bardhë Duka, një verë e bardhë e prodhuar nga rrushi autokton shqiptar që rritet në vreshtat Lalëz–Ishëm dhe maturohet në fuçi lisi francez.
Po ashtu kantina prodhon varietete të tjera si:
Merlot
Cabernet Sauvignon
Tempranillo
Shesh i Zi
Rosé

Ndër verërat më prestigjioze është Duka Superiore, një seleksion nga 16 vreshta Cabernet Sauvignon, Tempranillo dhe Merlot, i maturuar në fuçi lisi nga pylli francez Tronçais.
Një tjetër verë me karakter është Duka Reserva, më e fortë dhe më e thellë në aromë.
Cilësia e këtyre verërave është vlerësuar edhe jashtë Shqipërisë. Duka Cabernet Sauvignon është shpallur vera më e mirë shqiptare në vitin 2015, ndërsa në konkursin prestigjioz 5 Star Wines në Itali verërat e kantinës kanë marrë vlerësime të larta.

Në konkursin Wine Vision by Open Balkan, Shesh i Bardhë Duka fitoi Trofeun Kombëtar të Artë për etiketën e vitit 2023.
Në vitin 2018, prodhimi i kantinës arriti në rreth 40 mijë shishe verë, një shifër e rëndësishme për një kantinë familjare. Sot Kantina Duka prodhon 150mijë shishe.
Sot këtë histori e vazhdojnë dy djemtë e themeluesit, Goni dhe Armando Duka.
Ata nuk janë mjaftuar vetëm me prodhimin e verës. Me investime të reja, kanë vendosur ta kthejnë Kantinën Duka në një destinacion të plotë agroturistik.

Një nga projektet më të bukura është restoranti pranë Liqenit Topana, i cili është tre km i gjatë.

Peizazhi është i qetë dhe poetik. Uji i liqenit reflekton kodrat përreth, ndërsa rosat dhe zogjtë krijojnë një muzikë natyrore që e bën këtë vend edhe më të veçantë.

Vizitorët mund të bëjnë shëtitje me varkë dhe më pas të shijojnë një drekë apo darkë që shpesh zgjat me orë.
Kuzhina e restorantit është një ndërthurje mes traditës shqiptare dhe kuzhinës mesdhetare.
Gjithçka fillon me Mezen e Rakisë së Gjyshit, një ritual që hap tavolinën dhe bisedën.

Më pas vijnë pjatat e para:
Fërgesa tradicionale
Risotto me champignon dhe krem tartufi
të shoqëruara me një gotë Shesh i Bardhë Duka.

Pjatat kryesore përfshijnë:
Salçiçe artizanale
Tomahawk i pjekur në furrë
Rosë me jufka të bëra në dorë

Produktet janë kryesisht bio. Mishi i qingjit vjen nga ferma e familjes, ndërsa në liqen kultivohet peshku krap, amur dhe ballgjër që shërbehet i freskët në restorant.
Të gjitha këto trajtuar me shumë shije dhe pjatat pregatitur aq bukur estetikisht nga shefi i guzhinës Jemini. Por kur fillon të konsumosh ushqimin të shijon aq shumë se nuk të vjen keq më që e prish bukurinëe pjatës.
Por Kantina Duka është mbi të gjitha atmosferë. Ambjentet e restorantitsi salla kryesore dhe verandat me tavolinat e drurit me dekorimin me aq shije dhe hapsirat me xham të lejojnë të shijosh natyrën nga çdo kënd.

Çdo gjë e paster dhe me një grup djemesh të rinjë që të dhurojnë një shërbim të perkryer dhe gjithmonë të qeshur.
Në mbrëmje, kur bie fresku i kodrave të Lalëz–Ishëm, ndriçimi i butë i vreshtave krijon një peizazh pothuaj poetik.
Në sfond dëgjohet shpesh muzika napolitane:
Brucia la Terra
C’è la Luna Mezzo Mare
Parla più piano
Dhe në atë moment të duket sikur je në një skenë të filmave të regjisorit Francis Ford Coppola, në një Sicili imagjinare ku vera, nata dhe muzika bashkohen në një romancë të qetë.

Risia më e fundit e kantinës është ndërtimi i dhjetë vilave turistike, secila me nga dy dhoma.
Arkitektura është moderne dhe e thjeshtë, e integruar me natyrën.
Në verandën e një prej vilave, me një gotë Duka Reserva dhe një pjatë frutash përpara, nata mund të kalojë pa u ndjerë.

Dhe kur zbardh dita, sythat e rinj të rrushit fillojnë të hapen në dritën e mëngjesit.
Një tjetër avantazh i këtij vendi është afërsia me detin.
Gjiri i Lalëzit ndodhet vetëm dy kilometra larg dhe mund të arrihet edhe me biçikletë.

Në të ardhmen kantina do të ofrojë edhe transport për vizitorët që duan të kalojnë mes vreshtave dhe plazhit.
Në një kohë kur Shqipëria kërkon modele zhvillimi të qëndrueshëm, vende si Kantina Duka tregojnë një rrugë.

Një rrugë që fillon me tokën.
Vazhdon me traditën.
Dhe përfundon me kulturën e mikpritjes.
Është rruga që ndoqi dikur Gjyshi, kur vendosi të mbillte një vresht në kodrat e Lalëzit.

Sot, kur ecën mes hardhive dhe ndien aromën e verës që vjen nga bodrumet e kantinës, e kupton se ai kishte të drejtë.
Sepse toka, kur punohet me dashuri, di gjithmonë të shpërblejë.

Shefi guzhinës së Kantinës Duka, Jemin me Ilir Demalian.



