Nga Ilir Demalia
Dita e Verës është një nga festat më të vjetra të traditës shqiptare. Ajo i përket kohëve pagane, shumë përpara krishterimit dhe islamit, dhe lidhet me ciklin e përhershëm të natyrës: largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Në kulturën tonë popullore kjo festë konsiderohet me rrënjë të lashta, që shpesh lidhen me traditat ilire dhe me kultin e diellit — simbolin e jetës, të dritës dhe të pjellorisë.
Për njerëzit e lashtë, dielli ishte forca që sillte jetën dhe që siguronte vazhdimësinë e natyrës. Me ardhjen e pranverës, kur toka zgjohej nga gjumi i dimrit, njerëzit festonin ringjalljen e natyrës dhe falënderonin për begatinë dhe për një vit të mbarë. Ky ritual i lashtë ka mbijetuar ndër shekuj në forma të ndryshme dhe sot është një nga festat më të dashura për shqiptarët.
Në këtë ditë simbolika është e pranishme në çdo detaj. Ballokumet e famshme të Elbasanit janë tashmë simbol i kësaj feste. Ato nuk janë thjesht një ëmbëlsirë tradicionale, por një pjesë e identitetit kulturor të qytetit. Po ashtu edhe veroret — fijet e kuqe e të bardha që lidhen në dorë — janë një simbol i fatit, shëndetit dhe mbarësisë. Në to gërshetohet ideja e mbrojtjes dhe e fillimit të ri që sjell pranvera.
Dje pata kënaqësinë të jem i ftuar nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, në Sofrën e Elbasanit për Ditën e Verës. Kjo tashmë është kthyer në një traditë të bukur qytetare, një moment ku qyteti mblidhet për të festuar jo vetëm një datë kalendarike, por një ndjenjë kolektive optimizmi dhe gëzimi që e sjell vetë stina e pranverës.
Atmosfera ishte e ngrohtë dhe njerëzore. Në fytyrat e njerëzve dukej një qetësi dhe një çlirim i rrallë, sikur për një mbrëmje dimrat e përditshmërisë të ishin lënë pas. Kjo është edhe fuqia e festave të tilla: ato krijojnë një hapësirë ku njerëzit takohen, flasin, qeshin dhe ndajnë së bashku një moment gëzimi.

Darka ishte shtruar në sallën madhështore “Oligarku”, në kompleksin Fish City, nga biznesmeni Gjergj Luca. Me një humor të veçantë ai shpesh quhet “oligark”, por në kuptimin më pozitiv të fjalës: një sipërmarrës që prodhon, që krijon vende pune dhe që çon emrin e Shqipërisë përtej kufijve të saj.
Në një vend ku shpesh biznesi shihet me dyshim, shembuj si ai i Gjergj Lucës tregojnë një tjetër realitet: atë të sipërmarrjes që ndërton dhe kontribuon. Produktet e kompanisë së tij eksportohen nga Amerika në Skandinavi e deri në Spanjë, duke mbajtur markën Rozafa Albania. Bashkë me produktet udhëton edhe emri i Shqipërisë, si një dëshmi se vendi ynë ka çfarë të ofrojë në tregjet ndërkombëtare.
Por përtej sipërmarrjes, Gjergj Luca ka edhe një dimension tjetër që shpesh mbetet më pak i dukshëm: filantropinë. Ai nuk është nga ata që bëjnë zhurmë për çdo akt bamirësie. Përkundrazi, është nga ata njerëz që besojnë se e mira bëhet pa bujë. Dhe shpesh, siç thotë populli, një dorë jep dhe tjetra nuk e merr vesh.
Edhe kjo darkë për Sofrën e Elbasanit ishte një shprehje e kësaj fryme bujarie. Një tryezë e hapur ku biznesi, tradita dhe qytetaria takohen natyrshëm. Një shembull se si sipërmarrja mund të lidhet me jetën kulturore dhe shoqërore të komunitetit.

Atmosfera në këtë Sofër të Elbasanit ishte e jashtëzakonshme dhe organizimi i shkëlqyer. Meritë për këtë ka kryetari i Bashkisë së Elbasanit dhe ekipi i tij. Muzika vinte nga të gjitha trevat shqiptare, në respekt të traditës së pasur kulturore dhe mikpritëse të qytetit.
Në këtë mbrëmje nuk munguan këngët e të madhit Isuf Myzyri, të interpretuara me mjeshtëri nga vëllezërit Zena. Muzika e tij, që mbart shpirtin qytetar të Elbasanit, krijoi një atmosferë nostalgjie dhe elegance. Ndërsa grupi Albania Night, me vallet e tyre të bukura, e ndezi sallën dhe solli gjallërinë e një feste të vërtetë pranvere.
Edhe tryeza ishte një festë më vete. Ushqimi tradicional elbasanas — fërgesa, tavët me qofte, tacë kosi dhe shumë gatime të tjera — sillnin aromën dhe shijen e një kuzhine të gatuar me dashuri. Sofrat e shtruara me kujdes ishin një ekspozé e bukur e kulinarisë së Elbasanit dhe e traditës së mikpritjes që ky qytet e ka ruajtur ndër shekuj.

Në këtë mbrëmje ishin të ftuar deputetë, ambasadorë, njerëz të artit dhe të medias. Por mbi të gjitha ishte një atmosferë njerëzore dhe e çliruar. Njerëzit flisnin, qeshnin dhe ndanin së bashku një moment të bukur, ashtu siç ndodh në festat që burojnë nga tradita e vërtetë.
Sepse në fund të fundit kjo është domethënia e Ditës së Verës: drita që rikthehet, natyra që ringjallet dhe shpresa që përtërihet.
Dhe ndoshta si shoqëri kemi nevojë pikërisht për më shumë ditë të tilla — ditë vere. 🌿☀️



