Nga Ilir Demalia
Idolataria si Kompleks Inferioriteti dhe Nënshtrimi Kulturor
Në kulturën shqiptare vërehet një prirje e fortë drejt mitizimit të figurave publike – shkrimtarëve, politikanëve, “të mëdhenjve” kombëtarë. Shkrimi pa analizë, i mbështetur vetëm në citime, është simptomë e kësaj dukurie. Ai nuk synon të kuptojë, por të adhurojë.
Idolataria nuk është thjesht një defekt estetik i kritikës letrare; ajo është simptomë psiko-sociale e një shoqërie që vuan nga kompleksi i inferioritetit dhe që e zëvendëson mendimin kritik me nënshtrimin simbolik.
Kur një autor trajtohet vetëm përmes citimeve të tij, ndodh një zhvendosje e rolit të kritikës:
Mendimi zëvendësohet nga autoriteti.
Analiza zëvendësohet nga përulja.
Dialogu zëvendësohet nga dogma.
Në vend që figura të vendoset në raport me kohën dhe kontradiktat e saj, ajo shndërrohet në ikonë. Ky fenomen është parë shpesh në trajtimin e figurave si Ismail Kadare, ku diskursi publik shpesh bëhet mes sakralizimit dhe demonizimit, por rrallëherë qëndron në një analizë të ftohtë kritike.
Citimi i zhveshur nga konteksti është formë e heshtur e frikës intelektuale.
Sipas Alfred Adler, kompleksi i inferioritetit lind nga ndjenja e pamjaftueshmërisë dhe kërkon kompensim përmes identifikimit me figura të fuqishme.
Në plan kolektiv, kjo shfaqet kur një komb:
Ka histori të gjatë pushtimesh.
Ka përjetuar diktaturë të gjatë, si regjimi i Enver Hoxhës
• Ka kaluar tranzicion të pasigurt dhe të zhgënjyer.
Shoqëria kërkon figura që e përfaqësojnë si “të madhe”, sepse individi nuk ndihet i tillë. Figura e shkrimtarit, e liderit, apo e “babait” kombëtar bëhet zëvendësim i identitetit individual.
Turma dhe humbja e individualitetit
Gustave Le Bon argumentonte se turma e humbet personalitetin kritik dhe kërkon një figurë dominante për t’u identifikuar.
Në këtë kuptim: Idolataria është komoditet psikologjik
Mendimi kritik është rrezik.
Dyshimi shihet si tradhti.
Shoqëria që funksionon si turmë prodhon figura të paprekshme dhe e përjeton kritikën si sulm personal.
Kur një shoqëri nuk ndërton kulturë ballafaqimi me të vërtetën, ajo futet në rreth vicioz.
Mitizon figurat.
Falsifikon kontekstin.
Shmang përgjegjësinë historike. Riprodhon autoritarizmin në forma të reja. Në Shqipëri, për dekada, kultura ishte e ndërtuar mbi kultin e individit. Pas rënies së diktaturës, modeli psikologjik nuk u zhduk; ai thjesht ndërroi figurë. Nga “udhëheqësi i madh” kaluam tek “intelektuali i madh”, “politikani i fortë”, “figura shpëtimtare”. Të gjitha këto janê ajo çkambeti: Nënshtrimi
Në thelb, idolataria është frikë nga përgjegjësia e mendimit.
Të mendosh vetë do të thotë:
Të pranosh pasigurinë.
Të përballesh me kontradikta.
Të rrëzosh mite.
Është më e lehtë të citosh sesa të analizosh. Është më e lehtë të adhurosh sesa të gjykosh.
Problemi nuk është ekzistenca e figurave të mëdha.
Problemi është raporti ynë me to.
Shoqëria që mendon me citime nuk ndërton identitet; ajo ndërton varësi simbolike.
Shoqëria që analizon ndërton vetëdije.
Idolataria është formë e butë e autoritarizmit kulturor.
Mendimi kritik është akt emancipimi.



