Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se zona ku do të marrë jetë projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn” në Durrës nuk është një hapësirë e zakonshme urbane, por pronë e thesarit të trashëgimisë kombëtare.
Rama u ndal sot në episodin 7 të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim” tek projekti TID në Durrës që si u shpreh ai, po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur.
Ndërkohë, vuri në dukje Kryeministri, realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
“Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar”, u shpreh Rama.
“Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë”, theksoi kreu i Qeverisë.
“Historia ndërkombëtare tregon se asnjë vend nuk ka zbuluar, nuk ka konservuar dhe nxjerrë në pah trashëgimi të këtyre përmasave pa ndërmarrë shpronësime. Në Romë, mijëra e mijëra prona u shpronësuan për hapjen e Forumeve Imperiale. Në Athinë, u realizuan shpronësime masive për zonën përreth Akropolit dhe krijimin e parkut arkeologjik”, përfundoi Rama duke shtuar se autoritetet shqiptare do të bëjnë pikërisht këtë, me ndjeshmëri e me drejtësi ndaj banorëve, po me vendosmëri ndaj interesit kombëtar.
Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës kanë protestuar në lidhje me shembjen e banesave dhe dëmshpërblimin për to. Kryeministri Rama mbajti seancë degjimore me banorët ku u dakordësua për ecjen përpara të projektit dhe rivlerësimin e disa banesave që pretendohet se janë trashëgimi kulturore.



