Nga Sara Mile
PËR ÇUDINË QË NUK ZGJAT TRE DITË.
Ka një fjali që më ka ndjekur prej kohësh nga Simone de Beauvoir: “Nuk lind grua, por bëhesh”.
Dhe në Shqipëri, në politikë, shpesh të duhet të bëhesh grua dy herë: një herë për të hyrë në këtë arenë dhe një herë tjetër për të mos u trembur prej saj.
Çudia më e madhe nuk zgjat tre ditë. Ajo të shënjon. Të lëndon. Të tund themelet. Por nëse ke qëllimin e drejtë, ajo të forcon.
Në lumin e ofendimeve, komenteve seksiste dhe denigruese që kam marrë këto ditë, vetëm sepse reagova me pasion ndaj një Nongrate që mban peng një opozitë të tërë, e prej më shumë se 30 vitesh është e keqja më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve, kuptova edhe një herë sa e vështirë është për disa ta pranojnë një vajzë që flet fort, që kundërshton, që nuk kërkon leje për të qenë e patrembur.
Sepse në këtë vend, vajzat në politikë ende vishen me moralizma: të flasësh shumë, s’duhet; të reagosh fort, s’duhet; të jesh e ashpër, s’është “femërore”; të jesh e vendosur, “po e tepron”.
Ndërsa në të kundërt; guximi, vendosmëria dhe rebelimi konsiderohen virtyte kur i shohim tek burrat.
Mirëpo, ka momente në politikë kur zgjedhja nuk është mes fjalëve të buta dhe fjalëve të ashpra. Është mes heshtjes dhe të vërtetës. Nga unë, do dëgjoni gjithmonë të vërtetën të zhveshur nga hipokrizia.
Po, fjalia ishte e fortë.
Por edhe dëmi ka qenë i madh.
Edhe polarizimi ka qenë i madh.
Edhe pengmarrja e një opozite të tërë për halle personale ka qenë e madhe.
Edhe gjykimi me standardet e dyfishta ku një burrë që flet ashpër quhet “lider i fortë”, ndërsa një vajzë që përdor të njëjtën gjuhë quhet “produkt i politikës së vjetër”, është gjithashtu i madh.
Mirëpo nëse ndonjëherë e vërteta tingëllon e ashpër, kujtoni se ndoshta realiteti ka qenë po ashtu i ashpër. Dhe mendojeni njëherë në prizmin se politika e re nuk është ajo që flet më butë, por ajo që nuk pranon më të heshtë.
Dhe së fundmi, për çdo vajzë që arrin këtë postim, e ka lexuar shumë ofendime kundrejt meje këto ditë:
Mos e ul zërin që të mos bezdisësh! Mos e zbut qëndrimin që të dukesh “më e pranueshme”! Mos e braktis pasionin që të mos të quajnë “vegël”! Asgjë se ndal një të vertetë! Asnjëherë.



