Nga Era Makoçi
Ca i thonë barazim 4:4. Në thelb, është një qorrsokak nga i cili ec e të dalë ky vend.
Natyrisht që e kam fjalën për vendimin, ose më saktë vendimin-jovendim, të Kushtetueses mbrëmë në çështjen Balluku, i cili për mua përbën një anomali, edhe pse formalisht gjithçka duket në përputhje me ligjin në fuqi.
Që të jem e qartë: juridikisht, nuk kemi një vakum. Ata që e quajnë rezultatin e votimit “mosmarrje vendimi” e kanë keqkuptuar situatën. Ligji për Gjykatën Kushtetuese është i qartë: kur ka barazim votash, dhe nuk arrihet shumica e kërkuar, vendimi është marrë: kërkesa për shqyrtim kushtetues trajtohet si të mos kishte ekzistuar kurrë. Konflikti konkret mbyllet. Akti i kontestuar mbetet në fuqi. Procedura foli.
Por pyetja është: a foli vetë Kushtetuesja në momentin kur një vendim i qartë, kaluar në filtrin e arsyetimit të saj gjyqësor, pritej aq domosdoshmërisht?
Jo, fare! Heshtje 4:4.
Një heshtje-vendim, pa legjitimitetin e qartësisë normative që vetëm një shumicë kushtetuese mund të sigurojë, e që i jep kuptim kontrollit kushtetues.
Prisnim rolin e Gjykatës si arbitër përfundimtar në një përplasje serioze mes pushteteve. Ajo që morëm ishte ndërgjegjësimi se një realitet juridik madhor po përcaktohet nga një ngërç numerik, nga një aksident vendesh vakante, jo nga një qëndrim kushtetues i artikuluar.
Problemi është se sistemi kështu nuk ofron dot asgjë më shumë për të orientuar sjelljen e ardhshme të institucioneve. Dhe këtu qëndron lodhja e kësaj historie: një shtet i tërë, përballë një konflikti të nivelit më të lartë ndërmjet pushteteve, merr si përgjigje kushtetuese, në thelb: “Hm, c’te themi? Ne s’i bëmë dot pesë vota!”
Kjo përbën një përmbysje të logjikës së kontrollit kushtetues. Mungesa e një shumice po funksionon praktikisht si konfirmim indirekt i masës së SPAK-ut (teknikisht të GJKKO-së), pa kaluar në filtrin e një përcaktimi të qartë kushtetues mbi kufijtë e ndarjes së pushteteve, që është detyra thelbësore e një vendimi kushtetues në një konflikt të tillë.
Kur një gjykatë nuk arrin të prodhojë një shumicë për shkak të vendeve bosh, por ndërkohë pasojat juridike vazhdojnë, mbrojtja kushtetuese bëhet e varur nga faktorë administrativë (plotësimi i vendeve), jo nga meritat e çështjes. Ky është cënim potencial i aksesit efektiv në drejtësi kushtetuese.
Përndryshe, a prodhon ky vendim efekt precedenti për veprimet e ardhshme të SPAK-ut ndaj funksionarëve të ekzekutivit?
Përgjigjja juridike është: Jo. Ky vendim nuk i jep SPAK-ut/GJKKO-së asnjë autorizim kushtetues të përgjithshëm për pezullime. Barazimi 4:4 përkthehet vetëm në refuzim procedural të kërkesës së Kryeministrit në GJK. Nuk krijon një standard të artikuluar, as një rregull të përgjithshëm, por vetëm mbyll një konflikt konkret. Kufijtë kushtetues të pushteteve të pavarura si Ekzekutivi e Gjyqësori vazhdojnë të mbeten të paqartësuar.
Te mos harrojmë që pyetja qe iu bë Kushtetueses ishte në thelb: “A mundet SPAK (një institucion i Gjyqësorit) të rikonfigurojë Ekzekutivin?”
Përgjigja kushtetuese që del nga ky rezultat nuk është:
“Po, SPAK, mundet”. Ajo është më modeste, dhe më shqetësuese: “Gjykata Kushtetuese nuk pati takatin të thotë se SPAK NUK mundet.”
Pra kemi një barazim procedural që mbyll një çështje të veçantë, por lë mangut pikërisht atë që një gjykatë kushtetuese duhet të japë: normën kushtetuese që orienton të ardhmen.



