Gjykata Kushtetuese është mbledhur këtë të enjte për të shqyrtuar ankimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO-së, që pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pas seancës publike të zhvilluar më 22 janar, pritet që trupa gjykuese të vendosë nëse do të japë sot një vendim përfundimtar apo do të marrë më shumë kohë për shqyrtimin e çështjes.
Balluku u pezullua nga detyra në nëntor me kërkesë të SPAK, pasi u mor e pandehur për abuzime në tenderin e tunelit të Llogarasë. Vendimi u kundërshtua nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi ndërhyrjen e GJKKO-së si shkelje të kompetencave të ekzekutivit dhe e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, me qëllim vendosjen e një mase më të ashpër sigurie. Maxhoranca ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke argumentuar se duhet pritur më parë vendimi i Kushtetueses, ndërsa opozita e kundërshton këtë qëndrim.
SPAK argumenton se Balluku, duke qenë në detyrë, paraqet rrezik për hetimin, pasi mund të ndikojë në prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Ajo akuzohet për shkelje në tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe po hetohet edhe për disa procedura të tjera prokurimi të lidhura me ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe.



