
Nga Ilir Demalia
Në një kohë kur buçasin daullet për “drejtësinë e re me kostum të vjetër”, gazeta DITA mbetet një nga të paktat media që ka ruajtur një qëndrim konsistent, kritik dhe të pandikuar nga pushtetet. Një gazetë që ende shitet në print, por që edhe online numëron klikime të larta, jo për sensacionalizëm, por për seriozitetin dhe qasjen e saj përballë çdo pushteti, pa dallim.
Pikërisht kjo duket se i ka djegur dikujt.
Para disa ditësh, DITA botoi një shkrim investigativ mbi procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Sipas burimeve të shumta, Joni Keta u emërua drejtor, ndonëse në renditjen përfundimtare të garës rezultonte i gjashti.
Çfarë ndodhi realisht?
DITA shkruante ndër të tjera:
“Sipas burimit që ka konsultuar dokumentacionin zyrtar, kandidati që më pas u propozua dhe u emërua Drejtor i BKH, Joni Keta, rezulton të jetë renditur ndjeshëm më poshtë se kandidatët e tjerë pas përfundimit të fazave të testimit. Të paktën katër kandidatë të tjerë kishin rezultate më të larta në filtrat profesionalë dhe të integritetit.”
Në një shtet normal, reagimi i institucioneve përkatëse – BKH dhe KLP – do të ishte i thjeshtë dhe transparent: një përgënjeshtrim zyrtar, nëse shkrimi nuk ishte i vërtetë. Por ky reagim nuk ndodhi. Pse? Sepse, sipas të gjitha gjasave, shkrimi ishte i saktë.
Në vend të transparencës, ndodhi diçka tjetër: artikulli u hakerua.
Kjo ngre pyetje shumë më të rënda sesa vetë gara:
A është shkelur barazia në garë, njësoj siç shkelet barazia në tendera publikë?
Pse drejtësia e re burgos zyrtarë kur për shkelje barazie në tender, por hesht kur në një proces kyç si zgjedhja e kryetarit të BKH nuk ka transperencë dhe hakarehot një gazetë për shqetësimin që sjell në BKH.
A kemi të bëjmë me drejtësi, apo me një standard të dyfishtë drejtësie?
Nëse një tender i manipuluar konsiderohet krim dhe ndëshkohet penalisht, pse një garë për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm hetimor të vendit nuk trajtohet me të njëjtin rigorozitet?
Hakerimi i një artikulli kritik nuk e mbulon të vërtetën. Përkundrazi, e vërteton frikën nga transparenca dhe ekspozon një prirje shqetësuese: përdorimin e mekanizmave represivë për të goditur median e lirë, në vend që të përballet me faktet.
Nëse “drejtësia e re” zgjedh të heshtë, të hakerojë dhe të ushtrojë presion ndaj medias, ajo rrezikon të humbasë kapitalin më të rëndësishëm që duhet të ketë: besimin e publikut.
Pa transparencë, pa barazi dhe me standarde të dyfishta, drejtësia e re rrezikon të shndërrohet jo në korrigjimin e padrejtësive të vjetra, por në një padrejtësi të re, më të sofistikuar dhe më arrogante.



