Gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, Donald Trump ndaloi vëmendjen te Sriram Krishnan.
“Njerëzit më pyesin se kush dreqin është ky,” tha presidenti amerikan.
“Megjithatë, pa të, gjërat veçanërisht në fushën e Inteligjencës Artificiale…nuk do funksiononin siç duhet.”
Para se të emërohej këshilltar i Trump-it për AI në dhjetor 2024, Krishnan ishte një inxhinier dhe investitor kapitali (venture capitalist) relativisht i panjohur jashtë Silicon Valley. Gjatë vitit të fundit, ai ka luajtur një rol kyç në formësimin e qasjes “dorëlehtë” të administratës Trump ndaj rregullimit të teknologjisë, sipas burimeve në Uashington dhe investitorëve në Bregun Perëndimor.
Ndër kontributet e tij përfshihen hartimi i një ligji kundër asaj që quhet “AI woke”, ndikimi në rregullat e reja për eksportet e çipave drejt Kinës dhe pjesëmarrja në përgatitjen e një urdhri ekzekutiv që synon të frenojë rregullimin e teknologjisë në nivel shtetëror.
Një person i njohur me bindjet e tij tha se Krishnan motivohet nga dëshira për të “luftuar Kinën dhe skeptikët e Inteligjencës Artificiale”. Të tjerë theksojnë se një ambicie personale është të jetë “në dhomën ku merren vendimet”.
Në një periudhë kur teknologjia është bërë thelbësore për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik, 42-vjeçari shihet si “nyja lidhëse mes Silicon Valley dhe Uashingtonit”, sipas Brad Gerstner, themelues i firmës investuese Altimeter. Ky rol i ka sjellë vlerësime në qarqet teknologjike, por edhe kritika nga republikanë që e shohin atë si simbol të përpjekjeve të Silicon Valley për të përvetësuar axhendën e Trump-it.



