Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, e planifikuar për t’u mbajtur këtë të mërkurë në mesditë lidhur me kërkesën e SPAK për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas njoftimit të Kuvendit, shtyrja bëhet pasi po pritet marrja dhe vlerësimi paraprak i vendimit përkatës nga Gjykata Kushtetuese.
“Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, nenit 13, pika 5, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, duke marrë parasysh kërkesën e anëtarëve të Këshillit gjatë mbledhjes së parë më 19.12.2025, është vendosur që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar lidhur me autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit të lidhet me vendimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese”, thekson njoftimi i Kuvendit.
Vendimi i shtyrjes u bë publik nga Këshilli i Mandateve dhe vjen pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori ende një vendim lidhur me kërkesën e qeverisë për pezullimin e Ballukut nga detyra e zv.kryeministres.

E pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe, SPAK ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.



