Marrë dhe përkthyer nga NBCNEWS
Dy ish-presidentë demokratë të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama dhe Bill Clinton, kanë reaguar ashpër pas ngjarjeve të rënda në Minneapolis, ku Alex Pretti u vra gjatë fundjavës, duke i bërë thirrje qytetarëve amerikanë të “flasin hapur” dhe të ndërmarrin veprime.
Ish-presidenti Barack Obama dhe ish-zonja e parë Michelle Obama e cilësuan vdekjen e Prettit si një “tragjedi zemërthyese”, duke theksuar se ajo duhet të shërbejë si një moment zgjimi për të gjithë amerikanët, pavarësisht përkatësisë politike.
“Duhet të jetë një thirrje zgjimi për çdo amerikan, pa dallim partie, se shumë nga vlerat tona themelore si komb janë gjithnjë e më shumë nën sulm,” thuhet në deklaratën e Obamëve.
Ata kritikuan ashpër taktikat e përdorura nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), duke i cilësuar si “të paprecedenta”. Sipas tyre, qytetarët në mbarë vendin janë indinjuar me pamjet e agjentëve federalë dhe rekrutëve të maskuar të ICE-s, të cilët “veprojnë pa përgjegjësi dhe përdorin taktika që duken të dizajnuara për të frikësuar, ngacmuar, provokuar dhe rrezikuar banorët e një qyteti të madh amerikan”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se, në vend që administrata aktuale të vendosë disiplinë dhe përgjegjësi mbi agjentët e angazhuar në terren, Presidenti dhe zyrtarët e tij “duken të gatshëm të përshkallëzojnë situatën”, duke ofruar shpjegime publike për vrasjet e Alex Pretti dhe Renee Good që, sipas Obamëve, nuk bazohen në hetime serioze dhe bien ndesh me provat video.
Renee Good u qëllua për vdekje më herët këtë muaj nga një oficer i ICE-s në një zonë rezidenciale të Minneapolis.
Obama dhe Michelle Obama u bënë thirrje amerikanëve të “marrin frymëzim nga vala e protestave paqësore në Minneapolis dhe në pjesë të tjera të vendit”, duke shprehur shpresën se zyrtarët e administratës do të ndryshojnë qasje dhe do të bashkëpunojnë me guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, dhe kryetarin e bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, për të shmangur kaosin dhe për të arritur qëllime legjitime të zbatimit të ligjit.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë reagoi përmes zëdhënëses Abigail Jackson, e cila akuzoi Obamën se po shfrytëzon situatën për të “thelluar ndarjet”.
“Obama duhet t’i bashkohet Presidentit Trump duke u bërë thirrje liderëve lokalë demokratë – si Walz dhe Frey – të bashkëpunojnë me administratën Trump për të larguar emigrantët ilegalë kriminalë të rrezikshëm nga komunitetet amerikane,” thuhet në deklaratën e Jackson. “Në vend të kësaj, ata po sulmojnë forcat e rendit dhe po mbrojnë kriminelë ilegalë me dënime shtesë për vrasje, përdhunim, sulm dhe vepra të tjera të rënda.”
Edhe ish-presidenti Bill Clinton reagoi, duke i quajtur skenat në Minneapolis “të tmerrshme”. Në një postim në rrjetet sociale, ai theksoi se ka momente kyçe në histori kur vendimet dhe veprimet e njerëzve përcaktojnë të ardhmen për vite me radhë.
“Ky është një nga ato momente,” shkroi Clinton. Ai akuzoi “njerëzit në krye” se po gënjejnë publikun dhe po u thonë qytetarëve “të mos besojnë atë që kemi parë me sytë tanë”.
“Është detyra e të gjithëve ne që besojmë në premtimin e demokracisë amerikane të ngrihemi, të flasim dhe të tregojmë se ky vend ende u përket ‘Ne, Popullit’,” shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë nuk dha menjëherë një koment lidhur me deklaratën e Clinton. Ndërkohë, NBC News ka kontaktuar zyrat e ish-presidentëve Joe Biden dhe George W. Bush për një reagim të mundshëm.



