Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e opozitës e cila pritet të zhvillohet sot në kryeqytet.
Në njoftimin zyrtar, ambasada këshillon qytetarët që të shmangin zonat e demonstratës, të mbajnë një profil të ulët dhe të kenë një plan emergjence.
Sipas ambasadës, protestat dhe tubimet e mëdha mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por situata mund të ndryshojë shpejt.
Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të jenë të vëmendshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Detajet e njoftimit të ambasadës:
– Data dhe ora e protestës: 24 janar 2026, ora 17:00
– Vendi: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, pranë ndërtesës së Kryeministrisë
– Pritshmëri: prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, ndërprerje trafiku dhe bllokime në disa kryqëzime
Ambasada thotë se Policia e Shtetit ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në disa zona të Tiranës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Udhëzime për qytetarët amerikanë:
– Shmangni zonat e protestës
– Mbani një profil të ulët
– Kujdes me përdorimin e telefonit dhe kufjeve në publik
– Keni një plan emergjence ose rrugë alternative për dalje nga zona
– Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve të rendit
Reagime dhe situata në terren:
Protesta e sotme e opozitës vjen pas thirrjeve të liderëve politikë për mobilizim në Tiranë, ndërsa autoritetet e rendit kanë njoftuar masa për sigurimin e tubimit dhe për parandalimin e incidenteve.
Ndërkohë, qytetarët e Tiranës janë të paralajmëruar për mundësi bllokimesh rrugësh dhe vonesa në trafikun urban, sidomos në zonën qendrore dhe në aksin që lidh Sheshin “Skënderbej” me zonën e Kryeministrisë.



