Pas sekuestrimeve të BKH, SPAK heton dyshimet se Pëllumb Salillari ka importuar, përdorur dhe shpërndarë ilegalisht eksplozivë, kapsolla dhe fitilë shpërthimi, përtej çdo lejeje ligjore, në një skemë që shkon nga tenderët publikë te lidhjet me krimin e organizuar…
Një javë më parë, agjentë të BKH-së zbarkuan te kompania e Pëllumb Salillarit, në zbatim të një vendimi të SPAK-ut, për dyshime se është përfshirë në krime ekonomike-financiare me tenderë, leje ndërtimi, ryshfete, evazion fiskal, transferta dhe pastrim parash.
Sipas informacionit, BKH sekuestroi 18 telefona dhe kompjuterë, si dhe shumë dosje me dokumente të kësaj kompanie, bazuar në tre kallëzime penale që i janë bërë Pëllumb Salillarit dhe pas daljes së emrit të tij në disa përgjime, si i përfshirë në afera dhe lidhje me eksponentë të krimit.
Skanimi i parë i disa dokumenteve dhe mesazheve, përveç përfshirjes në afera korrupsioni me drejtues të pushtetit qendror dhe lokal, ka zbuluar edhe blerje, përdorim dhe shpërndarje ilegale të lëndëve dhe materialeve shpërthyese me fuqi të madhe.
Agjentë të BKH-së, krejt rastësisht, kanë konstatuar se Pëllumb Salillari ka futur në kompaninë e tij 1.8 ton lëndë plasëse, 10 mijë kapsolla elektro-detonatore dhe mijëra metra linear fitil shpërthimi, pa dokumente ligjore, dhe ka pasqyruar konsumin e tyre me letra false.
Me lëndë dhe materiale shpërthyese për punime civile ka të drejtë të furnizohet çdo kompani ndërtimi rrugësh, objektesh apo guroresh, por vetëm sipas përcaktimeve të ligjit për lëndët plasëse.
Ndërsa kompanisë “Salillari Sh.p.k.” i janë gjetur të dhëna për 1.8 ton lëndë plasëse, 10 mijë kapsolla elektro-detonatore dhe fitilë shpërthimi të siguruara në rrugë ilegale, pa dokumente për burimin e importit apo blerjes së tyre, pa ekzaminim dhe miratim nga Ministria e Mbrojtjes, Policia dhe Inspektorati Teknik Shtetëror.
Pasi këto lëndë dhe materiale shpërthyese ilegale kompanisë “Salillari Sh.p.k.” i janë konstatuar vetëm në letra dhe në disa përgjime, BKH ka filluar hetimet për të verifikuar nëse ato gjenden fizikisht në magazina, nëse janë përdorur dhe në cilat punime, apo nëse janë dhënë personave dhe subjekteve të paautorizuara, përfshirë edhe persona të lidhur me krimin.

Lëndët plasëse pa dokumente të ligjshme Pëllumb Salillarit i janë gjetur në dosjet e kompanive “Salillari” dhe “Bervi Construction”, por sasia e përdorimit nuk është shoqëruar me kartela magazinimi dhe urdhra përdorimi nga administratori, magazinieri, drejtuesi teknik dhe zjarrmëtari.
Skandali thellohet më tej nga fakti se, në total, Pëllumb Salillarit i rezultojnë 3.4 ton lëndë plasëse, kapsolla elektro-detonatore dhe fitil pa Certifikatën e Përdoruesit Fundor, që duhet të jetë kompania “Salillari Sh.p.k.”, certifikatë që lëshohet nga organet zyrtare kompetente të sigurisë.
Se çfarë historie ka Pëllumb Salillari në gjetjen dhe përdorimin ilegal të lëndëve dhe materialeve shpërthyese, këtë do ta zbulojnë hetimet e BKH-së dhe SPAK-ut, por ky nuk është rasti i parë që raportohet për këto lëndë dhe madje edhe për armatim ilegal.
Më 26 prill 2022, pasi SHISH raportoi këtë aktivitet mafioz, Pëllumb Salillari shtoi në veprimtarinë e kompanisë edhe prodhimin, magazinimin, demontimin, riparimin, transportimin dhe tregtimin kombëtar e ndërkombëtar të armëve, municioneve dhe lëndëve e mallrave ushtarake.
Faktikisht, kompania “Bervi Construction” nuk ka leje nga Policia dhe Ministria e Mbrojtjes, por konstatimi paraprak i bërë nga BKH dëshmon se ai vazhdon të importojë, pra të kontrabandojë, këto materiale.
Për lëndët dhe materialet shpërthyese që ka futur ilegalisht Pëllumb Salillari, SPAK po heton edhe indiciet se ato u janë dhënë eksponentëve dhe grupeve të krimit./Pamfleti



