Qindra miliona dollarë që Shtetet e Bashkuara po mbledhin nga shitja e naftës venezueliane po mbahen përkohësisht në Katar. Ky është një mekanizëm indirekt që, sipas administratës amerikane, mund të përshpejtojë dërgimin e fondeve shumë të nevojshme drejt Venezuelës, por njëkohësisht ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe kontrollin e këtyre parave.
Administrata e Donald Trump konfirmoi të mërkurën shitjen e parë të naftës venezueliane, nga e cila janë siguruar rreth 500 milionë dollarë. Kjo pritet të jetë vetëm shitja e parë nga shumë të tjera, që në muajt – madje edhe vitet – në vijim mund të sjellin miliarda dollarë të ardhura.
Pse paratë shkojnë në Katar dhe jo direkt në Venezuelë?
Sipas një ish-zyrtari amerikan që ka njohuri për çështjen, fondet nuk u depozituan në banka amerikane dhe as nuk u dërguan drejtpërdrejt në Venezuelë, por u transferuan në Katar. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi për Newsmax se paratë do të fillonin të qarkullonin drejt Venezuelës që të enjten. Madje, disa banka venezueliane kanë nisur të reklamojnë disponueshmëri likuiditeti, çka sugjeron se fondet kanë mbërritur tashmë në vend.
Venezuela ka qenë e sanksionuar nga qeveritë perëndimore për vite me radhë dhe praktikisht e përjashtuar nga sistemi bankar ndërkombëtar. Qeveria e saj autoritare ka sekuestruar pasuri nafte të kompanive të huaja, duke krijuar një numër të madh kreditorësh që kërkojnë kompensim.
Presidenti Trump ka akuzuar Venezuelën për “vjedhjen” e aseteve amerikane të naftës, por njëkohësisht ka theksuar se të ardhurat nga shitjet duhet të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët venezuelianë dhe jo kreditorët ndërkombëtarë.
Për këtë arsye, Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv që bllokon çdo përpjekje për vendosje pengjesh, konfiskimesh apo vendimesh gjyqësore mbi këto fonde. Sipas urdhrit, çdo ndërhyrje e tillë do të “pengonte ndjeshëm përpjekjet kritike për të garantuar stabilitet ekonomik dhe politik në Venezuelë”.
Vendosja e parave në një llogari në Qatar shihet si një mënyrë për t’i mbajtur fondet jashtë mundësive ligjore të kreditorëve perëndimorë.
Si do të përdoren fondet?
Sipas Alejandro Grisanti, drejtor i Ecoanalitica, bankat në Katar janë udhëzuar që fondet t’i shpërndajnë përmes ankandeve bankave venezueliane, duke i dhënë përparësi ushqimit, ilaçeve dhe bizneseve të vogla. Paratë do të mblidhen nga Banka Qendrore e Venezuelës dhe do të shpërndahen sipas kushteve të vendosura nga SHBA.
Bessent tha se këto të ardhura do të përdoren për funksionimin e qeverisë, sigurinë dhe furnizimin me ushqime.
Shqetësime për transparencën
Megjithatë, disa ekspertë kanë shprehur shqetësime serioze. Sipas tyre, edhe pse urdhri ekzekutiv i Trump duhet të mjaftonte për të mbrojtur fondet nga kreditorët, fakti që paratë mbahen në Katar i nxjerr ato jashtë mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë amerikane.
“Pa një plan publik që të shpjegojë qartë se kush i kontrollon këto fonde dhe çfarë mekanizmash kundër korrupsionit ekzistojnë, kjo rrezikon të kthehet në një ‘fond të errët’,” tha një ekspert që foli në kushte anonimiteti.
Ekzistojnë gjithashtu frikëra se fondet mund të përdoren nga struktura të korruptuara të qeverisë venezueliane për të mbajtur pushtetin, përfshirë lidhje me grupe paramilitare apo rrjete kriminale.
Kritikat kanë ardhur edhe nga opozita amerikane. Senatorja Elizabeth Warren deklaroi se “nuk ka bazë ligjore që një president të hapë një llogari offshore nën kontrollin e tij për të shitur pasuri të sekuestruara nga ushtria amerikane”, duke e cilësuar veprimin si tipik për politikanë të korruptuar.



