I ftuar në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, publicisti Ilir Demalia foli me tone të forta dhe akuzuese për situatën alarmante të mungesës së ujit në Vlorë, duke e cilësuar atë si pasojë direkte të një modeli shkatërrues qeverisjeje dhe mungese totale planifikimi pas viteve ’90.
Sipas Demalisë, qytetarët kanë të drejtë të dalin dhe të protestojnë, pasi protesta është një e drejtë themelore demokratike. Megjithatë, ai theksoi se Shqipëria, sipas tij, nuk jeton në demokraci, por në atë që e quajti “demonkraci”.
“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por duhet të pyesim veten: a kemi ne përgjegjësi për gjithçka që po ndodh sot në Shqipëri dhe në Vlorë?”, u shpreh Demalia.
Ai paralajmëroi se situata e mungesës së ujit nuk do të mbetet vetëm problem i Vlorës, por shumë shpejt do të përfshijë edhe Tiranën.
“Kjo situatë do të ndodhë edhe në Tiranë, po ju paralajmëroj unë”, tha Demalia.
Sipas tij, rrënjët e krizës janë të qarta: pas vitit 1990 Shqipëria u përfshi nga një valë ndërtimesh pa kriter, grabitje tokash, mungesë masterplani dhe infrastrukture.
“Tirana ka qenë 300 mijë banorë, sot është 1 milion. Pa plan, pa infrastrukturë, pa vizion”, theksoi ai.
Gjatë emisionit, avokati Besart Logu ndërhyri duke e pyetur Demalian se cila parti ka drejtuar Bashkinë e Tiranës ndër vite. Reagimi i Demalisë ishte i ashpër:
“Partia e hajdutëve që nga 1992 e deri më sot. Nuk ka parti të majta e të djathta këtu. Ka parti që vjedhin me të majtën dhe vjedhin me të djathtën.”
Duke folur konkretisht për Vlorën, Demalia akuzoi ndërtimet mbi kolektorë dhe interesat e biznesit si faktorë kyç të krizës së ujit. Ai përmendi edhe emra konkretë biznesmenësh, duke pretenduar se uji devijohet për interesa private.
“Në Vlorë është ndërtuar mbi kolektorë. Kemi biznesmenë si Samir Mane që mban autobotë te tuneli për të marrë ujin dhe për ta çuar në Vlorë. Këtu kemi arritur sepse nuk kemi përgjegjësi qytetare”, deklaroi ai.



