Ilir Demalia ka publikuar një video nga fshati Pulaj i Velipojës, ku ngre me tone të forta kritike një problem të thellë dhe të përsëritur të bujqësisë shqiptare: mungesën totale të organizimit dhe braktisjen e fermerëve nga shteti.
Gjatë vizitës në fermën e familjes Uldedaj, Demalia shprehet se për herë të parë ka parë që në Shqipëri rritet edhe kivi, një tregues i qartë i potencialit bujqësor që vendi ka, por që nuk shfrytëzohet. Ajo që e trondit më shumë, sipas tij, është fakti se rreth 400–500 rrënjë portokalli kanë prodhuar fruta organike, të ëmbla dhe cilësore, por askush nuk vjen t’i mbledhë.
“Nuk ka punëtorë dhe nuk ka asnjë lloj ndihme nga shteti, nga fondet e bujqësisë, të cilat abuzohen për qejfet e njerëzve,” thekson Demalia, duke denoncuar drejtpërdrejt mënyrën se si fondet publike shpërdorohen, ndërsa fermerët lihen në mëshirë të fatit.
“Përse nuk organizohet bujqësia në Shqipëri?”
Një pyetje që, sipas tij, mbetet pa përgjigje prej vitesh, ndërkohë që Shqipëria vend agrumesh dhe ullinjsh vazhdon të importojë produkte nga jashtë.
Demalia nuk kursen as kritikat ndaj medias dhe politikës shqiptare. Sipas tij, media duhet të merret me këto probleme reale dhe jo me “tallavatë e darkës”, akuza boshe dhe lajme për klikime që vetëm sa krijojnë konfuzion në shoqëri. Po ashtu, ai kritikon ashpër politikën dhe parlamentin, që merren me zhurmë, rrugëçëri dhe spektakël, në vend që të hartojnë politika ndihmëse për zhvillimin e zonave rurale.
“Këto janë vende që na i ka bekuar Zoti dhe ne nuk po dimë t’i shfrytëzojmë, pastaj ankohemi pse jemi të varfër,” shprehet Demalia, duke e çuar kritikën edhe më tej:
“Jemi të varfër në tru për të shfrytëzuar pasurinë që na ka dhënë i madhi Zot.”



