Biznesmeni Gjergj Luca ka publikuar një video-mesazh me tone të forta simbolike dhe reflektuese, ku ka ndërthur besimin fetar me realitetin politik dhe shoqëror të vendit. Në një ditë të shenjtë për besimtarët, Luca përdor metaforën e Golgotës për të përcjellë një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj politikës shqiptare.
Në fjalën e tij, Luca ndalet te momenti biblik i kryqëzimit të Krishtit mes dy hajdutëve, duke e sjellë këtë figurë në kontekstin e sotëm: “Golgotë Krishti ishte mes dy hajdutëve… sot shoh këtë kryqin këtu bosh. Por, me thënë të drejtën, të dy hajdutët që kanë qenë në Golgotë me Krishtin sot merren me politikë.”
Mesazhi i tij vijon me një thirrje drejtuar brezit që ka përjetuar dy epoka të vështira të historisë shqiptare: komunizmin dhe tranzicionin drejt kapitalizmit. Sipas Lucës, ky brez do të gjykohet nga historia jo për vuajtjet, por për atë që arrin të ndërtojë për vendin. “Mos harroni që brezi ynë, që i ka kaluar të dy epokat shumë të vështira të këtij vendi, komunizmin dhe fillimet e kapitalizmit, do të mbahet mend për diçka, nëse do t’i arrijmë qëllimet si brez për të shkuar atje ku e meritojmë.”
Në një pasazh që synon të kapërcejë ndasitë fetare, Luca përmend figurat qendrore të krishterimit dhe islamit, duke theksuar se vlerësimi për veprat e një brezi shkon përtej historisë tokësore: “Nuk do na kujtojnë vetëm brezat që do të vijnë, por do na kujtojë edhe Krishti dhe Muhamedi për të mirën që brezi ynë do t’i bëjë këtij kombi.” Në përfundim të mesazhit, ai rikthehet te metafora fillestare, duke e mbyllur me një kritikë të hapur ndaj klasës politike: “Mos harroni, kryqi është bosh dhe dy hajdutët që ishin aty… merren me politikë.”



